Logjika mafioze e Ministrit Tahiri

Nga Karl Kuçi
Logjika mafioze e Ministrit Tahiri

Nervat e ministrit Saimir Tahiri, si dhe ato të gjithë qeverisë, me sa duket ngacmohen lehtë nga çështja e kanabisit, përhapja e dukshme në të gjithë vendin e të cilit po dëshmon gjithnjë e më shumë paaftësinë apo vullnetin e dobët të policisë për ta luftuar. Dhe mungesa e vullnetit i faturohet pashmangshmërisht politikisht qeverisë, e cila për t’i përkeqësuar gjërat po reagon përherë e më shpesh në mënyrë të rrëmujshme.

Edhe Kryeministri Edi Rama po përjeton të njëjtin stres nervor, çka u duk një javë më parë kur duke komentuar punën e policisë ai bëri një gafë të pafajshme në çdo sistem demokratik—la të kuptohej qartësisht se armiku i vetëm i Policisë së Shtetit është Partia Demokratike—duke treguar mungesën e kthjelltësisë tipike të dikujt që është nën trysninë e opinionit pasi ka fshehur diçka.

Pas tij ishte Minisitri Tahiri që dëshmoi gjykim dhe veprime të papranueshme për një drejtues demokratik perëndimor. Tre ditë më parë, në një aksion të rrallë në portin e Durrësit, policia zbuloi 130 kilogramë marijuanë të fshehur në një furgon të një fabrike prodhimi këmishësh që udhëtonte për në Itali.

Por Ministri Tahiri nuk u kufizua në lajmërimin e suksesit të policisë së “tij”, por përfitoi nga një foto e vitit 2012 në të cilën drejtuesi i kompanisë—i shpallur në kërkim nga policia—është duke shtrënguar dorën në rrugë me kreun e opozitës Lulzim Basha, për të qarkulluar një mesazh, në të cilin arsyeja ja kishte lënë vendin kërcënimeve.

Duke përdorur një artificë të njohur retorike, Tahiri u shtir si elegant dhe fisnik duke akuzuar dhe njëkohësisht duke e mohuar qëllimin për të akuzuar. Tahiri u shpreh se ai nuk donte ta akuzonte Bashën se është i përfshirë në narkotrafik, as nuk donte ta akuzonte atë se e financonte partinë me lekët e drogës, madje nuk donte të thoshte as që miku i fotos mund të jetë pronari i parcelave të fotografuara nga militantët e PD-së.

Jo, Tahiri tha “vetëm” se “miku fotografik i Bashës dhe PD-së është kapur me 130 kilogramë drogë”. Dhe që Basha dhe militantët e tij duhet të turpërohen për baltën që kanë hedhur (mbi PS) dhe duhet të mbyllin gojën, sepse trafikantët janë vetëm trafikantë. Nëse nuk e bëjnë këtë gjë (të mbyllin gojën) por do zgjedhin të vazhdojnë të baltosin atë, qeverinë dhe policinë, atëherë Bashës do t’i duhej t’i dilte “zot 140 kg drogë të trafikantit të fotos të partise që u kap.”

Duke e thjeshtuar, Tahiri thotë: “Qepeni, përndryshe unë do ju sulmoj.”

Dhe është që është shton edhe 10 kilogramë të tjerë marijuanë në llogarinë e Bashës, sikur edhe tjetrën ta kishte vënë ai.

Mungesa e dukshme e logjikës në “silogjizmin ballkanik” të Tahirit është tipike e gjuhës mafioze, sepse do të thotë pikërisht që vullneti dhe forca e atij që flet (ose më mirë, kërcënon), dhe jo logjika apo ligji i prodhon pasojat e cituara.

Dhe ndërkohë mesazhi i Tahirit, për t’i dhënë besueshmëri dhe theks kërcënimeve, reklamon edhe kontrollin e dukurisë: pardje Tahiri e Rama thonin që droga nuk ishte, dje thonin që drogë nuk ka më, ndërsa sot Tahiri thotë që drogë ka, e kam unë, asnjë njeri nuk më prek dot, as ti, dhe nëse nuk e qep, drogën ta fus në xhep dhe më pas të denoncoj. Dhe të huajt nuk duhet të tërhiqen në mes.

Sepse kjo është një… çështje e jona.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>