Loja më e fundit me reformën në drejtësi – Exit shpjegon

Loja më e fundit me reformën në drejtësi – Exit shpjegon

Ngërçi kryesor mes shumicës dhe ndërkombëtarëve nga njëra anë dhe pakicës nga ana tjetër ka qenë mënyra si dhe nga kush do të kryhet vetingu i kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit te Apelimit, të cilët do të bëjnë verifikimin e figurës së të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarve (këto janë shpjeguar këtu dhe këtu).

Sikurse kemi shpjeguar më parë procesi i vetingut do të përfshijë tre drejtime: a) verifikimin e pasurisë, b) verifikimin e lidhjeve me krimin, dhe c) aftësitë profesionale. Nëse një kandidat nuk i kalon me sukses të trija këto prova ai përjashtohet nga konsiderimi.

Partia Socialiste, sëbashku me SHBA-të dhe BE, kanë kërkuar vazhdimisht që vetingu të bëhet nga vëzhguesit e huaj përmes një organizmi të quajtur Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), ndërsa Partia Demokratike ka kërkuar që vetingu të bëhej nga Gjykata Kushtetuese ose nga Kuvendi.

Pas kundërshtimeve të fillimit, tashmë Partia Demokratike ka pranuar që vetingun e anëtarëve të Komisionit dhe Kolegjit ta bëjnë ndërkombëtarët.

Në takimin e të hënës të treshes së negociatorëve të PS-së, PD-së dhe LSI-së—në të cilin merrnin pjesë edhe përfaqësues të Euralius dhe OPDAT, misioneve të asistencës europiane dhe amerikane për sistemin e drejtësisë, të cilët kanë ndihmuar në hartimin e reformës—u arrit dakordësia e plotë për të gjitha saktësimet dhe detajet e procesit të përzgjedhjes, vetingut dhe zgjedhjes së anëtarëve të këtyre institucioneve.

Kjo do të thotë që u arrit dakordësi e plotë për të gjithë draftin e reformës.

Por një kthesë e papritur ka ndodhur rreth orës dy të mengjesit të së martës ndërsa po zbardhej në letër marrëveshja e arritur për t’u firmosur nga palët. Burime nga PD u shprehën për Exit.al se ndërsa të gjitha kanë qenë duke pushuar në pritje të kopjeve të shtypura, eksperti i Euralius ka marrë një telefonatë pas së cilës u ka thënë të pranishmëve se sapo kishte folur me Brukselin, i cili kërkon që në draftin e reformës në lidhje me vetingun e anëtarëve të Komisionit dhe Kolegjit të shtohen dy pika, afërsisht si më poshtë:

  1. ONM ka të drejtë të refuzojë një kandidaturë edhe thjesht mbi bazën e opinionit publik, pa dhënë as një arësye apo shpjegim aplikuesit të refuzuar; dhe
  2. Ky vendim i ONM-së nuk mund të ankimohet nga personi i refuzuar.

PD i ka kundërshtuar të dyja propozimet me arsyetimin se ato bien ndesh me të drejtat kushtetuese dhe dinjitetin e njeriut, pasi askujt nuk mund t’i mohoet një e drejtë apo mundësi bazuar mbi opinionin e njerëzve.

Eksperti i Euralius është shprehur se kjo kërkesë është e nevojshme pasi ajo bëhet me qëllim që ONM të ketë mundësi të përdorë informacione sekrete apo të klasifikura në procesin e vetingut por pa i dekonspiruar këto burime.

Përfaqësuesi i PD-së nuk ka pranuar futjen e këtyre dy pikave, ndërsa qëndrimi i PS-së ka qënë që ata janë dakord me çdo gjë që propozon Brukseli.

Për shkak të kësaj mosdakordësie nuk është firmosur asnjë marrëveshje. Janë pikërisht këto dy pika që PD ka kërkuar që duhet të bihen dakord me qëllim arritjen e konsensusit për reformën.

Palët nuk kanë bërë deklarata në lidhje me qëndrimin e Euraliusit por pretendimi i përfaqësuesit të Euraliusit duket i dyshimtë për disa arsye:

  • Së pari, pëfaqësuesi i Euraliusit nuk është funksionar apo punonjës i BE-së por punonjës i një fondacioni gjerman (IRZ) i cili është kontraktuar nga BE për të realizuar këshillim teknik dhe jo politik, ashut sikurse BE kontrakton mijëra kompani e konsulentë privatë për marrje shërbimesh. Që Brukseli të përcjellë mesazhe përmes një konsulenti privat me pagesë duke anashkaluar shefen e Delegacionit të tij në Tiranë do të ishte e pazakontë në mos e pamundur.
  • Së dyti, që një vendim-marrës i lartë politik në Bruksel të ketë qenë duke pritur zgjuar në Bruksel në orën 2 pas mesnate se çfarë do të miratonte Agaçe-Bylykbashi-Manjani duket e pabesueshme. Dhe që ky vendim-marrës të ketë numrin e celularit të një konsulenti me të cilin ai nuk ka asnjë lidhje direkte është akoma me e vështirë për t’u besuar.
  • Së treti, vendim-marrësit e BE-së për këto çështje janë ose trupa kolektive si Parlamenti Europian ose mbledhja e ambasadorëve apo ministrave të jashtëm të BE-së apo të drejtësisë. Mjafton të dëgjoje diskutimet e djeshme të europarlamentarëve të Komisonit të Jashtëm të Parlamentit Europian për të kuptuar se BE nuk funksionon me vendime individuale qoftë edhe të punonjësve të lartë të Komisionit Europian.

Partia Demokratike dyshon se konsulenti i Euralius, në fakt, ka folur dhe ka marrë udhëzim nga Shefja e Delegacionit Vllahutin dhe jo nga Brukseli. Nëse kjo gjë është e vërtetë, arsyeja e kësaj ndërhyrje të Ambasadores mund të spekullohet nga çdo kush.

Një gjë është e qartë, propozimi për të përjashtuar dikë nga një detyrë publike bazuar mbi fjalë rruge bie ndesh me shumë të drejta dhe parime. Nga ana tjetër, liria për të përjashtuar pa argumentuar dhe pa fakte e vëzhguesve ndërkombëtarë është pushtet arbitrar, i pa kontrolluar dhe i pa balancuar nga askush.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>