Ky Adam i parë ndër punonjësit shqiptarë të Ambasadës Amerikane në Shqipëri, në vitet 1929-1939, u arrestua si agjent i anglo-amerikanëve kur komunistët morën pushtetin. Një intervistë e disa viteve më parë e të birit, Viktor Adamit, tregon gjendjen e rëndë në të cilën kishte përfunduar prej torturave ish-nxënësi i shkëlqyer i “Harry Fultz”-it, njohësi i disa gjuhëve të huaja, Loni Adami, në trupin e të cilit kishte gjymtyrë të thyera dhe plagë të hapura. Një kujtim i dhimbshëm i ngulitur përjetësisht në mendjen e Viktorit, atë kohë 5-vjeç, që e pa të atin një ditë qershori të vitit 1947, ditën para përjetësisë.
Trak. Trak. Trak… Më 9 qershor 1947, në burgun e Tiranës, mes zhurmimeve nga më të ndryshmet, ishin shkruar në memorie të kohës edhe trokitjet e ndrojtura të këpucëve të një djali pesëvjeçar, që i frikësuar për vdekje, mbështetej e ngjishej pas trupit të së ëmës. Dikur, në brendësi, njëra pas tjetrës ishin hapur dy dyer të rënda dhe më pas, kur sytë u ishin mësuar me errësirën, ata kishin dalluar në qoshe siluetën e palëvizshme të një njeriu që nuk jepte shenja jete. E ëma ishte afruar duke i folur tjetrit në emër.
Vetëm atëherë djali pesë vjeç kishte kuptuar se figura e njeriut të shtrirë në rrëzë të murit duhet të ishte i ati. Por tjetrit i ishte dashur shumë kohë të reagonte, të arrinte të nxirrte fjalë nga goja. Saktësisht kishte shtrydhur me përdhunë nga fyti ca tinguj të ngjirur, si të një njeriu me gjuhë të prerë, që në tërësinë e tyre kishin arritur të formulonin vetëm një frazë me kuptim, një amanet: “Kujdesu për fëmijët!”. Pastaj djali 5 vjeç kishte parë me tmerr se si dora e së ëmës ishte mbushur me krimba në momentin kur kishte prekur shpatullën e të shoqit. Kështu fëmija e kishte humbur vetëdijen. Kishte nisur të ngashërehej aq fort sa pak kohë më pas, me të mbërritur në shtëpi, e ëma kishte konstatuar me tmerr një rritje të shpejtë të temperaturës.
Njeriu që rrëfen këtë pjesës të historisë së jetës së tij, më të frikshmen e të frikshmeve, quhet Viktor Adami është dhe djali i Loni Adamit, ish-sekretarit të Ambasadës Amerikane në Tiranë në vitet 1929-1939, për të cilin tashmë ka një memorial në oborrin e Ambasadës. Për fat të mirë Viktori nuk vdiq nga temperatura që e kishte mbajtur të lidhur për pesë ditë në shtrat, nuk vdiq edhe 24 orë më pas, kur nga dritarja vëzhgoi një ushtarak me motor që ndaloi para portës së shtëpisë së tyre, duke i dhënë me zë të lartë, së ëmës, Andromaqit, lajmin e vdekjes së të shoqit.
Sekretari i Ambasadës USA dhe pushtimi
“Im atë, Loni Adami, me origjinë nga Progri i Korçës, ishte një nga studentët më të mirë të Shkollës Teknike Amerikane, që sot njihet si shkolla ‘Harri Fulc’. Në vitin 1929, menjëherë pasi kishte mbaruar shkollën, ai iu rekomandua nga Harri Fulci ambasadorit amerikan, Çarls Hart, si nxënësi më i mirë dhe njohës i disa gjuhëve të tjera të huaja, veç anglishtes”, nis rrëfimin për të atin Viktor Adami. Pas këtij rekomandimi Loni Adami kishte shërbyer në këtë ambasadë për 10 vjet me radhë, deri në mbyllje, në rolin e sekretarit. Pra, kishte momente, kur në mungesë të ambasadorit dhe konsullit, ai mbetej autoriteti më i lartë. Ndërkohë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte punuar për një kohë si emigrant, ishte kthyer edhe Kol Kuqali, kunati i Loni Adamit, apo burri i së motrës. Viktori nuk di të sqarojë rrethanat, por edhe Kol Kuqali, i cili është nderuar në të njëjtën mënyrë nga Ambasadori Amerikan Xhon Uithers, kishte gjetur punë në të njëjtën ambasadë si përkthyes në vitin 1929.
Me pushtimin e Shqipërisë, Ambasada Amerikane kishte mbyllur dyert dhe Loni Adami e Kol Kuqali ishin detyruar të gjenin punë të tjera. I pari, Loni Adami, kishte hapur një shtypshkronjë të vogël, ndërsa Kol Kuqali bashkë Jovan Adamin, vëllanë e Lonit, kishin marrë me koncesion minierën e qymyrgurit në Krrabë të Tiranës.
“Babai u lidh shpejt me lëvizjen antifashiste dhe rrjedhimisht me komunistët. Njihet se në shtypshkronjën e tij u shtyp numri i parë i ‘Zërit të Popullit’, por edhe një numër pambarim materialesh të tjera propagandistike. Babai na ka rrëfyer një detaj kur në shtypshkronjë kishin hyrë dy ushtarë gjermanë. “Me të parë dy ushtarët, punëtori, Kristo Trajani, që ishte vetëm 16 vjeç, kishte ndalur punën e ishte zbardhur në fytyrë, pasi ishte duke shtypur trakte komuniste. Por në këtë kohë aty ishte shfaqur babai, që kishte nisur të komunikonte në gjermanisht. Ushtarët të habitur nga gjuha e mëmës së tyre, kishin pyetur me mirësjellje se çfarë ishin duke shtypur dhe babai, krejt i qetë, u kishte thënë se bëhej fjalë për një shpallje të Ministrisë së Punëve Botore. Më tej, ai u kishte shpjeguar gjermanëve se shtypshkronja ishte fare e vogël dhe se si e tillë nuk mund të bënte më shumë se blloqe e fletë, pra nuk mund të bënte gazeta. Këtë mënyrë të arsyetuari e kishte bërë sepse gjermanët ndërkohë po kërkonin të gjenin vendshtypjen e gazetës ‘Zëri i Popullit’ që e mendonin të realizuar në një shtypshkronjë më moderne. Ah, këtë e ka rrëfyer edhe artistja Violeta Manushi, që punonte në shtypshkronjën e babait”, rrëfen Viktori historinë e të atit me komunistët. Një histori që do të trashej edhe më shumë kur në Shqipëri do të zbarkonin misionet anglo-amerikane.
Arrestimi nga komunistët
Sipas Viktorit, i ati ishte angazhuar shpejt me anglo-amerikanët. Kjo për shkak se vetë Harri Fulci në këtë kohë ishte i vendosur në Kajro të Egjiptit, ku anglo-amerikanët kishin shtabin e luftës që ishte përgjegjës edhe për misionet në Shqipëri. “Pra ishte Harri Fulci ai që u rekomandonte misionarëve pikërisht tim atë si njeri të besës dhe si njeri me mundësi kontakti. Kështu që të gjithë anëtarët e misioneve ushtarake anglo-amerikane me të mbërritur në Shqipëri orientoheshin nga im atë”, rrëfen Viktori. Në janar 1945, në Shqipëri kishte mbërritur në krye të një misioni vetë Harri Fulci. Ai e kishte thirrur Loni Adamin në ndërtesat e ish-ambasadës Amerikane. Misioni kishte për detyrë të testonte situatën në Shqipëri dhe të vendoste kontakte kryesisht me intelektualët.
“Në këtë kohë Kol Kuqali, kunati i babait, ishte zgjedhur deputet nga populli. Shtëpia e tij, por edhe zona e Krrabës, ku kishte minierën, kishin qenë qendra të rezistencës antifashiste. Në librin e tij “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re” Enver Hoxha shkruan: U takova në shtëpinë e Kol Kuqalit me Kol Tromarën…” Më tej sipas shpjegimeve të Viktor Adamit, delegacioni që shkoi në Mukje kishte qëndruar për tri ditë me radhë në shtëpinë e babait të tij. Bëhej fjalë për personalitete të kalibrit të Ymer Dishnicës, Abaz Kupit, Gogo Nushit, Nako Spirut, Omer Nishanit e të tjerë. Pra në shtëpitë e Loni Adamit dhe në atë të kunatit të tij Kol Kuqali ishin bërë shumë biseda, për më tepër në këto biseda kishin marrë pjesë me shumicë edhe anglo-amerikanët. Pikërisht këto, por edhe tendencën e të dyve në përkrahjen e një sistemi politik demokratik, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike, Enver Hoxha nuk i pëlqeu.
“Kështu, dikur babait i shtetëzojnë shtypshkronjën dhe fshehtazi bëhet gati arrestimi. Kol Kuqali ndërkohë e sinjalizon që të largohet në fshat, në Korçë, duke i thënë se situata është e turbullt”, rrëfen i biri i Loni Adamit. Por komunistët e arrijnë Loni Adamin edhe në Korçë. E arrestojnë në 10 tetor 1946, madje e akuzojnë për tentativë arratisjeje.
Torturat
“Unë isha fare i vogël, vetëm 5 vjeç, kur nëna na mori bashkë më vëllanë, pak më të madh, për të shkuar në burg, te babai. Ai na mungonte prej më shumë se 8 muajsh. Më vonë kam mësuar se si kishte arritur nëna të futej në burg. Babanë e kishin respektuar një numër i madh komunistësh, në dyert e të cilëve nëna kishte trokitur. Por pa mundur të ndryshonte asgjë në fatin e tij. Një fat i vendosur diku lart, nga një njeri, vendimet e të cilit mund t’i kthente mbrapsht vetëm ndonjë forcë shumë madhore”, flet Viktori duke e shoqëruar këtë me tundje mohuese të kokës.
Loni Adamin e kishin torturuar fillimisht për tre muaj në Korçë. Sipas të birit, Viktorit, të atin e akuzonin si agjent të amerikanëve i rekrutuar në shkollën teknike dhe i kërkonin që të firmoste që misioni amerikan, i cili erdhi në Shqipëri në vitet 1945-1946, erdhi me qëllim për të përmbysur pushtetin popullor.
“Por babai, si idealist që ishte, nuk mund të dilte jashtë bindjeve të veta. Nuk firmoste edhe pse torturat ishin bërë më të rënda pasi e kishin sjellë në Tiranë. Më kanë thënë se e kanë rrahur sa i ka rënë mishi copë, se i kanë thyer shpatullën dhe njërën këmbë, se e kanë varur në tavan dhe i kanë futur trupin në ujë të ftohtë deri në fyt, se e kanë shpuar me shufra hekuri të skuqur. Neve na kanë lejuar ta takojmë vetëm një ditë para se të jepte shpirt në qeli. Na mori mamaja me vete, mua dhe vëllanë, që ishte një vit më i madh në moshë. Kujtoj se u hapën dy palë dyer. Dhoma ku ishte babai ishte e errët, pa dritare. Mamaja iu afrua dhe u mundua ta lëvizte. Aty vuri re se atij i kishin thyer shpatullën dhe njërën këmbë dhe se këto i ishin mbushur me krimba. Unë dola duke qarë me të madhe me të bërtitura…”, rrëfen Viktori mbase ngjarjen më të tmerrshme të jetës së tij.
Në qeli ndërroi jetë edhe Kol Kuqali, i arrestuar disa ditë më parë. Ai ishte babai i dy djemve dëshmorë të Luftës Antifashiste, njëri i vdekur në kampin e shfarosës të Mathausenit në Gjermani, tjetri në kampin e Prishtinës. Pas çlirimit Kol Kuqali kishte përmbushur edhe funksionin e zv/drejtori të Bankës Shqiptare, por ishte përplasur me Enver Hoxhën pasi kishte qenë kundër barazimit të lekun me dinarin jugosllav, një veprim që në vitin 1946 i konvertoi shqiptarët nga të pasur në të varfër për vetëm disa muaj kohë. Nëpër dokumentet që komunistët kanë lënë pas, thuhet se Kol Kuqali, Loni Adami, gazetari Sabri Dajlani dhe Drita Kosturi, e fejuara e Qemal Stafës, akuzoheshin si agjentë të imperializmit amerikan.
Trupat e Kol Kuqalit dhe Loni Adamit, sipas disa rrëfimeve të dëshmitarëve , janë futur në varr masiv në vendin e quajtur Bregu i Lumit në Tiranë dhe familjarët edhe sot e kësaj dite nuk kanë mundur t’i gjejnë. Madje kanë humbur edhe shpresat pas kërkimeve të shumta.
Shënim: Ky shkrim është publikuar në gazetën Panorma, pak ditë pas zbulimit të memorialit në nder të Loni Adamit dhe Kol Kuqalit në oborrin e Ambasadës Amerikane në Tiranë, në vitin 2010.
Për sa i përket datës së fundit të jetës së Loni Adamit, disa burime të tjera përmendin 6 qershorin e 1947-ës.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu