Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi se po ushtron presion me drejtorët e administratës në Bashkinë e Korçës me qëllim marrjen e votave nga qytetarët.
Gjatë një prononcimi nga fshati Dvoran, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari tha se Peleshi duke përdorur drejtorët e institucioneve që varen nga qeveria i kanë bërë presion banorëve të fshatit.
Braimllari akuzoi gjithashtu drejtorin e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në Korçë, Petrika Tollkucin, se po përdor administratën me qëllim frikësimin e votuesve.
“Të mos përdorin institucionin e ISKSH, duke ushtruar presion mbi farmacistët, duke përdorur skema korruptive përsa i përket rimbursimit të ilaçeve dhe me paratë që marrin nga kjo skemë korruptive vijnë këtu për t’iu ofruar qytetarëve para dhe për t’iu blerë votën”, tha Braimllari.