Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi të dielën rinumërin të votave dhe rivlerësim të rezultatit të zgjedhjeve në qarkun e Durrësit.
Në bazë të dokumentit të depozituar pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, publikuar nga BË, LSI pretendon se:
– në disa qendra votimi në Durrës janë gjetur fletë votimi pa vulë, të cilat janë futur nga jashtë;
– në pothuajse çdo ZAZ në qark janë konstatuar tentativa të votimit të dyfishtë;
– në qendrën e votimit 1257 konstatohet mungesa e kamerave të vëzhgimit, në thyerje të ligjit.
Sipas rezultatit paraprak të zgjedhjeve të shpallur nga KQZ, LSI nuk ka mundur të sigurojë asnjë mandat në qarkun e Durrësit.
Ndërkohë, mëngjesin e së dielës LSI kërkoi shpalljen e pavlefshme të rezultatit të zgjedhjeve në qarkun e Beratit dhe përsëritjen e votimit në këtë zonë.
Gjithashtu, pak ditë më parë LSI ka kërkuar shpalljen e pavlefshme të rezultatit zgjedhor edhe për qarkun e Gjirokastrës.