LSI, në Dubai, ministrat festuan ‘korrupsionin’ e portit të Durrësit e Vlorës

Nga Exit News
LSI, në Dubai, ministrat festuan ‘korrupsionin’ e portit të Durrësit e Vlorës

Lëvizja Socialiste për Integrim hodhi dyshime se në darkën në Dubai, ministrat e Ramës kanë rënë dakord me kompanitë private se çdo marrëveshje e kontratë mes tyre nuk do t’i nënshtrohet prokurimit publik apo ligjeve të tjera që parashikojnë konkurrencën dhe garën.

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili deklaroi, të hënën:

“Është rënë dakord që sipas marrëveshjes që kanë nënshkruar të dyja palët, të gjitha projektet, kontratat dhe gjithë çka lidhje me këtë marrëveshje nuk do t’i nënshtrohen asnjëherë prokurimit publik, tenderit publik, procedurës konkurruese publike apo ndonjë procedure tjetër të përcaktuar në legjislacionin kombëtar të Republikës së Shqipërisë. 

Kjo është edhe menuja e vërtetë, që të dini se çfarë shqyen në atë darkë.”

Vasili i kërkoi Prokurorisë Anti-Korrupsion që të hetojë ministrat dhe zyrtarët e bashkisë që morën pjesë në darkën në Dubai:

 “SPAK të veprojë sot, ose nesër do të jetë në bankën e të akuzuarve bashkë me këta që kanë kryer këto akte të rënda. Më e pakta do të ishin përpara drejtësisë.”

Vasili tregoi projektet për të cilat është diskutuar në Dubai:

“Në atë darkë ishin 3 projekte, pjesë e kësaj marrëveshjeje: rizhvillimi i Portit të Durrësit, mundësitë e investimeve në industrinë e turizmit, bujqësisë dhe logjistikës së Vlorës, Sarandës, Ksamilit dhe e treta investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit.”

Ai theksoi se këto zona janë me një potencial të rëndësishëm ndaj Rama kërkon të shmangë ligjet dhe të bëjë afera korruptive.

Mbrëmjen e 9 janarit, restoranti i famshëm Nusret në Dubai postoi një video ku dukeshin teksa darkonin një grup personash. Ata ishin nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbjan Mazniku, Drejtori i Komunikimit në kryeministri Endri Fuga me bashkëshorten, ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe sipërmarrësi Samir Mane.

Kryeministri Rama justifikoi darkën e zyrtarëve në Dubai, duke thënë se ‘kanë shkuar për të sjellë investime në Shqipëri’

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>