Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI u shpreh se SPAK duhet të arrestojë kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Veliaj, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit për truallin e Teatrin Kombëtar dhe ligjin për ndërtimin e godinës me PPP.
“Gjykata Kushtetuese foli për Teatrin!! SPAK të cojë Ramën dhe Veliaj dhe të gjithë bandën e rilindjes që shkaterroi Teatrin, rrahu qytetaret në mesin e Pandemisë, përpara drejtësisë, s”ka rrugë të mesme ose ndryshe SPAK nuk ekziston fare dhe është një institucion i kapur”, shkroi në Facebook, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili.
Ai shtoi se “Kryetari i Bashkise duhet të arrestohet në Rinas, sapo të kthehet vizita në Amerikë. Kryeministri dhe ministri i Kulturës duhet të merren të pandehur”.
Vasili paralajmëroi “asnjë veprim mbi truallin e Teatrit derisa të perfundojë çështja penale dhe të zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese”.