Lu dhe Vlahutin shpallin sërish suksese të reja të policisë

Nga Alba Mborja
Lu dhe Vlahutin shpallin sërish suksese të reja të policisë

Ndërsa në Kuvend u miratua ligji antikushtetues për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar që i hap rrugë një projekti me financime të dyshimta, Kryeministri Rama dhe Ministri Xhafaj mbajtën dje paradite një konferencë propagandistike të titulluar “Forca e ligjit në veprim”.

Në konferencë morën pjesë dy ambasadorët në ikje, Donald Lu i SHBA-ve dhe Romana Vlahutin e BE-së, dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Duncan Norman.

Konferenca erdhi pak ditë pasi Shqipërisë nuk iu hapën negociatat nga Bashkimi Europian, kryesisht për shkak të dështimit të qeverisë për të arritur rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe drogës. Ky dështim konsiderohet në radhë të parë përgjegjësi e Kryeministrit Rama dhe Minsitrit Xhafaj.

Por ambasadorët, në konferencë, përshkruan një realitet arritjesh të mëdha të policisë dhe lëvduan Ramën dhe Xhafajn për punën e tyre.

Ambasadori amerikan Donald Lu, i cili ka qenë mbështetësi kryesor i Saimir Tahirit kur ai kritikohej për përfshirje në trafik droge nga opozita dhe sot është mbështetës i hapur i Fatmir Xhafajt, ndërsa ky akuzohet për mbrotje të vëllait të tij trafikant droge të dënuar në Itali , u shpreh në konferencë së në këto “8 muaj ka ndodhur shumë” në fushën e luftës kundër krimit.

Ai renditi në konferencë një sërë arritjesh të policisë shqiptare, edhe pse disa prej tyre ishin në fakt arritje të policive të huaja, si rasti i kapjes nga policia turke e Met Kananit apo ajo gjermane e Arbër Çekajt—ky i fundit pasi policia shqiptare e lejoi të ikte i qetë nga Shqipëria edhe pse ishte lajmëruar për të.

Ndërsa amabasadori britanik Norman u shpreh:

 “Ministrat e Mbretërisë së Bashkuar mezi po presin të kalojnë kohë me ministrin Xhafaj dhe ekipin e tij në takime të ndryshme me të. Kemi shembuj suksesi. Një vit është një kohë shumë e shkurtër sa i përket zbatimit të ligjit. Ka ende sfida.”

Vini re që të dy ambasadorët i referohen vetëm periudhës së mandatit të dytë të qeverisë Rama, edhe pse Rama dhe Partia Socialiste kanë pesë vjet në pushtet.

Ndërsa Ambasadorja Romana Vlahutin, edhe pse dhjetëra drejtues të lartë policisë janë në hetim apo kërkim për bashkëpunim në trafikun e drogës, vlerësoi profesionalizmin e policisë:

“Arrestimi i grupeve të organizuara, lufta kundër kanabisit, sekuestrimi i aseteve kriminale kanë qenë disa nga operacionet më të suksesshme të policisë. Një nga arritjet më të suksesshme është edhe ngritja e një grupi cilësor profesionistësh.”

Sikurse kemi argumentuar më herët, ligji për teatrin që u miratua në Kuvend është shkelje e hapur e Marrëveshjes së Shqipërisë me BE-në, por Vlahutin—e cila i rikthehet jetës private në Kroaci, pas largimit nga Shqipëria në fund të gushtit—duket e pashqetësuar nga ky fakt.

Të njejtën ceremoni bombastike, Kryeministri Rama e organizoi edhe në 7 nëntor të 2017, dy javë pas publikimit të dosjes së përgjimeve të Prokurorisë së Katanias për Saimir Tahirin dhe kapjen e 860 mijë euro dhe dy patentave të Saimri Tahirin në makinë e bzinesmenit Orest Sota. Atëhere preteksti ishte fillimi i aksionit Forca e Ligjit, i cili ka qenë përgjithësisht një dështim i dukshëm, pasi nuk është arrestuar asnjë drejtues trafiku apo grupimi kriminal dhe nuk është shkatërruar asnjë organizatë kriminale edhe pse vetë Minsitri Xhafaj ka deklaruar se ekzistojnë dhjetëra të tilla.

E njejta ceremoni, me protagonist ambasdorët Lu dh Vlahutin është zhvilluar edhe disa herë gjatë mandatit të parë të qeverisjes Rama, për të reklamuar arritje të supozuara kundër drogës dhe madje, në një rast në vitin 2015, për të shpallur të fitoren përfundimtare ndaj kultivimit dhe trafikimit të drogës në Shqipëri. Ajo që pasoi këtë kofnerencë, ishte kthimi i Shqipërisë në vendin kryesor të prodhimit dhe trafikimit të kanabisit në Europë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>