Ky sulmi ndaj Fatos Lubonjës, ose më mirë, makinës së tij, është një lloj kambane alarmi që të përpin.
Gjëja në vetvete duket pak e ekzagjeruar: një i metë mendor, me precedentë kundër të njejtit person, ka shtrydhur jetën e tij dhe inteligjencën e pakët për të shpikur aktin suprem të ekzistencës së tij, duke ngritur një gur dhe duke e hedhur atë mbi makinën e të vetmit intelektual të vërtetë dhe të thellë, i mbijetuar i komunizmit dhe i zbrazëtisë absolute që e pasoi komunizmin.
Ishte vetëm një gjest muskujsh, sa i dhunshëm aq edhe idiot, një gur për të dëmtuar një send të pajetë. Dukshëm shprehja më e lartë intelektuale e një individi fatkeq, por që këto kohë ikonë e një morie të tërë militantësh, të trembur se po humbasin afërsinë me plaçkën e grabitur, apo më mirë që po dridhen nga frika se po humbasin mundësinë—që sot ua jep përkatësia në partinë politike hegjemone— për ta nxjerrë ligësinë e tyre tek fqinjët e tyre.
Në botë të tjera, në kohëra të tjera dhe, mbi të gjitha, në kultura të tjera, kjo idiotësi nuk do të bënte lajm, por në Shqipëri, në verën e 2019-s, jemi të detyruar të reflektojmë më thellë.
Fatosi është një njeri publik dhe për këtë arsye ndonjë sherr duhet ta presë. Aq më tepër kur njihet si një nga akuzuesit më të drejtpërdrejtë të asaj bande, e cila sot përpiqet të bindë veten se “është shteti”—një bandë që drejtohet (ndoshta) nga ish-miku i tij Edi Rama, por që ka si një material ngjitës vetëbesimin e shfrenuar të epërsisë morale që bashkon një grusht hajdutësh të ligj, injorantë, të pandëshkuar dhe të egër, secili prej të cilëve ka lexuar në gjithë jetën e tij vetëm sa një e milionta e asaj që ka studiuar Lubonja, madje nuk ka asnjë provë se kanë kuptuar ndonjë gjë edhe nga ajo një e miliontë.
Prandaj nuk ka asgjë të çuditshme që një nga shumë të çekuilibruarit, i regjistruar vullnetarisht (dhe ndoshta pa kërkesën e tyre) në trupat e sulmit të Rilindjes, i shpreh mendimet e sinqerta socialiste dhe evropianiste në mënyrën e vetme që ai është në gjendje të konceptojë.
Ajo që nuk kuptohet është heshtja e makinës së fuqishme të propagandës që, deri më sot, ka menaxhuar në mënyrë të përsosur krijimin e realitetit virtual të Rilindjes, atij realiteti që magjepsi, së pari, elektoratin shqiptar dhe pastaj diplomatët e sistemit ndërkombëtar, dhe që ende edhe sot shërben si alibi, edhe pse gjithnjë e më e dobët, për kancelaritë e huaja.
Kjo makinë propaganda, e cila ka qenë në gjendje të mbajë në këmbë pretendimin se një grusht shteti i ngritur mbi shkelje të vazhdueshme të së drejtës kushtetuese është një reformë shpëtimtare në drejtësi, nuk mund të rrëzohet pikërisht nga një fakt aq i parëndësishëm sa guri mbi makinën e Lubonjës.
Në të gjithë botën “normale”, të cilën doktorët e spërdredhjes të Edi Ramës e kanë manipuluar në mënyrë kaq të zgjuar, deri tani, frikësimi i një opinionisti—madje, i dikujtë që mbijetoi thuajse njëzet vjet në burgjet komuniste pa patur asnjë faj; që është i njohur dhe frekuentuar nga gjysma e botës intelektuale amerikane dhe evropiane; dikush që u vu në rresht të parë (me Ramën fshehur shumë, shumë më mbrapa) për të detyruar Presidentin e atëhershëm Berisha për dorëzimin politik, pa kërkuar asgjë për vete—është një autogol i vërtetë, një katastrofë komunikimi, një katastrofë marrëdhëniesh.
Është edhe me keq, kur kjo ndodh ndërsa një qeverisje, gjithnjë e më absolute, ka paraqitur një ligj për t’u mbyllur gojën mediave që nuk i kontrollon dot, dhe akoma më keq që ndodh vetëm pak ditë pas një tjetër dhunimi kushtetues ndaj pushtetit të Presidentit të Republikës, bastioni i fundit që u ka mbetur të gjithë “të tjerëve”.
Përkundrazi, propaganda hesht.
Mos vallë sepse janë me pushime në ndonjë nga ato risortet luksoze në bregun e Jonit, ku bojarët e tyre pastrojnë paratë e sigurua me shumë lodhje?
Por jo, mendja ta thotë se truri i Rilindjes nuk funksionon më.
Një dehje nga fuqia e pakufishme, nga afrimi e eliminimi përfundimtar i armikut historik, ka errësuar mendjet, tashmë të stresuara, të këtyre mendimtarëve të mprehtë, deri në atë pikë sa nuk kujtojnë më gjuhën që u solli atyre aq fat dhe sukses, dhe u janë kthyer egërsisë së tyre natyrale, si çakejtë me barkun plot, shumë arrogantë dhe dembelë për t’u marrë më një armik që tani po vdes.
Më mirë të frekuentosh vendet verore të pushtetit, për të mbuluar me lajka, si servilë që janë, udhëheqësit e vërtetë ushtarakë të bandës dhe për të marrë shpërblime dhe detyra për një të nesërme plaçkitjesh të shkëlqyeshme. Dhe duke mbyllur telefonat si shenjë e fuqisë së vërtetë.
Por në këtë pikë gabojnë shumë. Historia e njerëzimit tregon se në politikë vdekja vjen menjëherë pas suksesit, që të vdekurit ngjallen ndërsa fituesit festojnë, sepse “zgjidhja përfundimtare”, asgjësimi i armikut, nuk mund të ekzistojë në fiziologjinë e politikës: nuk ekzistonte për Hitlerin, pavarësisht se pati Sperin, Geringun dhe Gëbelsin, e jo më për Rilindjen që më e mira që mund të bëjë është të tregojë Taulant Ballën, Erion Veliajn dhe Elisa Spiropalin.
Dhe gabojnë edhe më rëndë sepse Fatos Lubonja ishte, sikurse edhe grupi që mbrojti Teatrin Kombëtar—për shkak të ndershmërisë së tij intelektuale dhe mosbesimit të tij koherent dhe të justifikuar ndaj politikës së një opozite jo shumë lineare—një argjinaturë shumë e dobishme në mbrojtje të Ramës.
Megjithëse fjalët e Lubonjës dhe gjykimet e tij publike kanë denoncuar qartë natyrën e vërtetë dhe të rrezikshme politike të Rilindjes, mungesa e dëshirës për të marrë anën e një opozite jo shumë të besueshme, i ka lejuar Ramës të vazhdojë historinë e krijimit mjeshtëror të realitetit virtual se opozita është e trembur nga ardhja e “drejtësisë së vërtetë”, vërtetuar nga fakti se shoqëria shqiptare, madje Lubonja në radhë të parë, nuk dëshiron të ngatërrohet me opozitën.
Të lejosh që dikush të kërcënojë Lubonjën, ose më thjesht të mos e dënosh këtë fakt me ton të fortë, është veprim aq idiot politikisht, sikurse është edhe vjedhja e zgjedhjeve në të cilat kandidon i vetëm, sa shpjegimi i vetëm është se truri i Rilindjes është errësuar nga “stomaku i fryrë”, nga tretja e rëndë që pengon qarkullimin e gjakut, si ciklopi që fle dhe gërrhet ndërsa Odiseu i vogël vret mendjen si të shpëtojë prej tij.
Sot ishte rradha e Fatosit, ndoshta i vetmi person publik me të vërtetë dinjitoz dhe i besueshëm. Për gjithë të tjerët, që deri tani, në mënyrë më shumë se legjitime, nuk donin t’i bënin duart pis, nesër do të jetë vonë.
Rreziku nuk sheh më qartë, ndaj nxeheni hurin dhe verbojeni atë plotësisht, dhe të gjithë së bashku do të fitojmë lirinë.