Prej shtatorit zyra e kadastrës Vlorë regjistroi seri të pazakontë largimesh nga puna të drejtuesve të saj. Brenda pak muajsh, katër drejtues dhanë dorëheqje me pretendimin për arsye personale dhe familjare.
Megjithatë, të dhënat të mbledhura nga BIRN tregojnë ndryshe. Dorëheqjet mund të kenë qenë të detyruara për shkak të një konflikti të fortë për një tokë me vlerë miliona euro në bregdetin e fshatit Jalë, mbi të cilën ngrihet një pjesë e resortit luksoz Folie Marine.
Në mënyrë më specifike, dorëheqjet lidhen me refuzimin nga zyrtarët e Kadastrës Vlorë për të regjistruar një vendim të Gjykatës së Lartë që pezullonte veprimet e regjistrimit të pronësisë mbi një sipërfaqe toke prej 14,8 hektarësh në bregdetin e fshatit Jalë – një prej zonave më të lakmuara të Rivierës.
Përplasja – sipas dokumenteve që BIRN ka siguruar – është fokusuar kryesisht mbi pronësinë e 1.6 hektarëve truall, mbi të cilat është ndërtuar klubi i natës Folie Marine dhe dy godina pjesë të së njëjtit kompleks turistik. Mbi të njëjtën pronë, kompanisë Soleil & Sea i është dhënë nga qeveria statusi i “investitorit strategjik”dhe po ndërton aty një fshat turistik të njohur si Soleil Village.
Vlera e këtij investimi, sipas Komitetit të Investimeve Strategjike që drejtohet nga kryeministri Edi Rama është 67 milionë euro. Qeveria merr përsipër edhe mbështetjen e investitorit në problemet e pronësisë ndaj palëve të treta, por konflikti për këtë pronë duket se i ka dalë jashtë kontrollit.
Një prej palëve në konflikt, Kristo Gjoka, nga fshati Vuno, i cili fitoi të drejtat mbi pronën me vendim e shkurtit 2019 të Gjykatës së Apelit Vlorë, akuzon në një kallëzim penal biznesmenin Alban Xhillari dhe të afërm apo të njohur të këtij të fundit se po përdorin ndikimin e tyre në qeveri për t’ua rrëmbyer pronën me dokumente të falsifikuara, nën pretekstin e investimit strategjik.
Biznesmeni Xhillari është kundërpërgjigjur po ashtu me kallëzim penal ndaj Gjokës dhe personave të lidhur me të, që i cilëson “pjesë e një grupi të strukturuar kriminal”. Kallëzimi që Xhillari ia vuri në dispozicion BIRN është firmosur në emër të kompanisë Kempixh – një shoqëri të cilën ai e ka zotëruar dikur dhe që ka në pronësi disa prej godinave në resortin turistik.
Vetë Xhillari la të kuptohej se ai ishte investitori pas fshatit turistik, edhe pse kompania që mori statusin e investitorit strategjik është regjistruar në emër të dikujt tjetër. Të dyja palët pretendojnë implikimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të qeverisë socialiste në favor të njërit apo tjetrit.
Avokatura e Shtetit bëri rekurs në favor të investitorit strategjik kompanisë Soleil & Sea, ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë që ia njihte këtë pronë familjes Gjoka. Familja Gjoka i sheh qëndrimet e Avokatit të Shtetit si përpjekje për ta zhveshur atë nga prona, e cila në rast se kthehet nën pronësinë e shtetit i kalon investitorit strategjik, sipas ligjit për këtë të fundit.
E gjithë situata e krijuar duket si simptomë e abuzimit ndër vite me pronat në bregdet, të cilat rezultojnë të pamenaxhuara, pa harta kadastrale dhe me një mori pretendimesh për mbivendosje.
Ndërkohë, ndërhyrja e qeverisë duket se e ka acaruar edhe më shumë situatën, pasi kjo e fundit përmes statusit të investimeve strategjike vendoset në krah të njërës pale, investitorëve strategjike, në proceset e kontestuara të pronësisë.
‘Grupe të strukturuara kriminale’
Ligji i investimeve strategjike, i miratuar në vitin 2015, është përdorur edhe më herët për bllokimin e njohjes së pronave banorëve në fshatrat e bregdetit në favor të kompanive që kanë marrë të drejta për investime në struktura turistike.
Aktualisht janë 8 kompani që kanë përfituar statusin e investitorëve strategjikë. Statusi jepet nga një institucion i quajtur Komiteti i Investimeve Strategjike. Në listën e tokave të dhëna me këtë ligj gjenden edhe parcela në Gjirin e Lalzit, në Dhërmi dhe në Sarandë.
Qeveria e Kryeministrit Edi Rama ka miratuar gjithashtu një masterplan për zonën e jugut të Shqipërisë si dhe ka në proces miratimin e masterplaneve për zona të tjera bregdetare, ku parcela të mëdha toke janë ndarë më vete të shënjuara si zona për “investime strategjike”.
Investigimet e mëparshme të BIRN kanë zbuluar se ngjashëm me rastin e resortit Folie Marine, disa nga këto investime strategjike në bregdetin e Jonit janë ndërtuar gjithashtu në toka të kontestuara.
Në një kallëzim penal ndaj 10 personave, – bërë më 1 nëntor 2019 ku përfshihet edhe biznesmeni Alban Xhillari, – Kristo Gjoka pretendon se Xhillari përmes kërcënimit dhe ryshfetit po synonte bllokimin e pronës së tij dhe çregjistrimin e saj nga kadastra e Vlorës.
Gjoka kallëzon edhe kreun aktual të kadastrës së Vlorës, Taulant Canameti dhe Jani Kostën (ish-administrator i kompanisë Kempixh) – për të cilin thotë se është i afërm i Alban Xhillarit, si dhe disa persona të tjerë që sipas tij kanë gisht në përpjekjet për të tjetërsuar pronën. Ai pretendon se bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal.
Në një bisedë me BIRN, Gjoka pretendoi se ligjshmëria e pronës së tij nuk ishte në diskutim dhe se për këtë arsye, asnjë nga punonjësit e Kadastrës nuk mori përsipër të regjistronte vendimin e Gjykatës së Lartë.
Gjoka po ashtu akuzon Xhillarin dhe personat e lidhur me të për legalizimin përmes dokumenteve të falsifikuara të godinave të ngritura prej kompanisë Kempixh në zonën e Jalës. Ai tha se do t’i kërkonte Bashkisë Himarë që të prishte godinat, që sipas tij ishin pa leje.
Gjoka pretendon ndër të tjera se atij po i merret prona ngaqë është pjesë e minoritetit grek. Në kallëzim, ai thotë se leja e ndërtimit nga KKT dhe statusi i “investitorit strategjik” për resortin Folie Marine janë përfituar me dokumente të falsifikuara.
Në kallëzimin e tij Gjoka përfshin shumë persona, të cilët i cilëson si punëtorë të Xhillarit, përfshirë administratorin e Soleil & Sea, Ardit Bajraktari, i cili del përfaqësues i kompanisë edhe në vendimin e marrjes së statusit si investitor strategjik.
Përballë këtij denoncimi, kompania Kempixh e administruar në kohë të ndryshme nga vetë Alban Xhillari dhe më pas nga Jani Kosta, kallëzoi penalisht Kristo Gjokën dhe 6 persona të tjerë. Në denoncimin që BIRN mori nga Xhillari pretendohet se Gjoka dhe personat rreth tij janë gjithashtu një “grup i strukturuar kriminal”.
Në këtë kallëzim akuzohet për shkelje të ligjit Gjykata e Apelit të Vlorës dhe ekspertja që bëri matjet topografike dhe që sipas kallëzimit, mori “vërejtje nga Ministria e Infrastrukturës.”
Kallëzimi i Kempixh po ashtu shprehet se është pala tjetër ajo që ka përdorur forcë, dokumente false dhe ryshfet për ta marrë pronën.
Në kallëzim veçohet si fakt i dyshimtë një kontratë mes shtetasve Klodjan Jahaj, Klodian Xhyheri, Indrit Kaporaj dhe Spiro Gjoka, të cilët do të merrnin gjysmën e sipërfaqes së përfituar nga Kristo Gjoka në Gjykatën e Apelit. Në kontratën që Xhillari i dërgoi BIRN, këta persona e përfitonin tokën si shpërblim për ndihmën që do jepnin për regjistrimin e saj në Kadastër.
“Është e kuptueshme lehtësisht se kjo sipërfaqe i është dhënë këtyre personave, pasi këta të fundit kanë marrë përsipër dhënien e një vendimi të tillë nga gjykata nëpërmjet veprime korruptive, pasi nuk ka asnjë arsye logjike minimale apo ligjore për hartimin e një veprimi të tillë”, thuhet në kallëzim.
Të dy palët, në kallëzimet e tyre dhe në bisedat e bëra me BIRN, pretendojnë përfshirjen e paligjshme zyrtarëve më të lartë të shtetit në çështjen e tyre. Ata akuzojnë ministra dhe ish-ministra të qeverisë së Partisë Socialiste dhe drejtues të tjerë të shtetit, si prokurorë, policë dhe gjyqtarë. Akuzat megjithatë nuk mund të provohen në mënyrë të pavarur.
Kompania me statusin e investitorit strategjik, Soleil & Sea dhe Bajraktari nuk u arritën dot për koment. Megjithatë, të dhënat e BIRN tregojnë se ajo është e favorizuar në këtë përplasje.
Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike – pjesë e së cilit është Kryeministri, Zv/Kryeministri dhe disa ministra, në rast se ka palë të treta që kanë pretendime mbi pronën, kompania do ketë mbështetje nga qeveria.
I njëjti vendim nënvizon se investitori duhet të synojë një marrëveshje me pronarët e tokës, por “në rast se investitorit strategjik i cënohet prona që disponon nga palë të treta, investitori, sipas rastit, përfiton të drejtën e shpronësimit ose të marrjes me qira me kontratën 1 euro”.
Kristo Gjoka ka sulmuar pikërisht këtë vendim në një letër dërguar Kryeministrit Rama, ambasadave, prokurorisë dhe disa ministrave. Ai kërkon heqjen e statusit të investitorit strategjik për Soleil & Sea, duke akuzuar kompaninë se ka përdorur dokumente të falsifikuara.
Kaos në kadastër
Më 23 prill 2019, Gjykata e Lartë vendosi pezullimin e ekzekutimit të vendimit për pronësinë e tokës në Jalë – mbi një pjesë të së cilës ndodhet edhe Folie Marine. Vendimi u mor nga tre gjyqtarët e fundit të mbetur asokohe në Gjykatë të Lartë, Xhezair Zaganjori, Edmond Islamaj dhe Ardian Dvorani.
BIRN mësoi se tetë muaj më vonë, ky vendim i Gjykatës së Lartë nuk është ekzekutuar ende, ndërkohë që ka shkaktuar kaos ne zyrën e kadastrës së Vlorës. Fillimisht, vendimi i Gjykatës së Lartë u refuzua nga ish-drejtori i kadastrës – në atë periudhë Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, Klodian Troci.
Më 2 maj 2019, në një relacion për Departamentin e Anti-Korrupsionit në Këshillin e Ministrave, Troci shprehej se kërkesa e Avokatit të Shtetit dhe pretendimet për mbivendosje pronash në zonën e Jalës nuk mund të trajtoheshin.
Troci, i cili akuzohet nga kompania Kempixh se kishte ekzekutuar me urgjencë vendimin e Gjykatës së Apelit, shprehet ndër të tjera se zona e Jalës ishte ”zonë e pamenaxhuar“, për të cilën nuk disponoheshin harta kadastrale të pasurive dhe nuk mund të konstatohej mbivendosja.
Pak javë pas firmosjes së kësaj përgjigje, më 15 maj, Troci u spostua në vendin e zv.drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), ndërsa drejtues i ASHK-së së sapokrijuar u caktua Florian Alimadhi, i cili më herët kishte qenë regjistrues në Durrës.
Megjithëse nga maji deri në shtator 2019 kishte marrë të paktën një urdhër me shkrim nga ASHK, Alimadhi dhe punonjësit e ASHK-së në Vlorë përsëri refuzuan të regjistronin vendimin e Gjykatës së Lartë.
Më 6 shtator ASHK kreu një akt-kontrolli dhe i konsideroi jo-ligjore arsyet e dhëna deri në atë moment nga drejtuesit e degës lokale të Vlorës, duke kërkuar sërish regjistrimin e vendimit të Gjykatës së Lartë si dhe “miratimin e urdhrit për ndalimin e veprimeve me pasuritë”.
Prej këtij momenti, disa drejtues të Kadastrës në Vlorë dhanë dorëheqjen njëri pas tjetrit. Dy ditë pas këtij urdhri, më 8 shtator 2019, drejtori i ASHK-së, Florian Alimadhi dhe nëndrejtori Klodian Troci dhanë dorëheqjen, ndërsa në krye të institucionit u komandua juristi Alteo Nazëraj.
Më 13 shtator, Nazëraj delegoi te një nga juristët e kadastrës veprimet e kërkuara nga ASHK, por juristi ashtu siç edhe kishin bërë më herët, refuzoi të kryente veprimet. Më 19 shtator Nazëraj dha dorëheqjen nga kadastra e Vlorës, duke qëndruar në krye të institucionit vetëm 10 ditë.
Nazëraj u zëvendësua nga Elona Hodaj (Kurti), ndërsa u komandua si zv.drejtor Taulant Canameti, i cili është transferuar nga Tirana. Më 27 shtator, Hodaj i delegon Canametit kompetencat mbi shërbimet në sektorin e sportelit dhe kadastrës.
Më 30 shtator, Canameti nxjerr një urdhër të brendshëm me të cilin duhej të regjistronte vendimin e Gjykatës së Lartë. Por drejtoresha Hodaj e shfuqizoi këtë vendim vetëm 24 orë pasi ai ishte firmosur, duke arsyetuar se Canameti nuk ishte i autorizuar për të lëshuar urdhra dhe as të marrë vendime. Hodaj urdhëroi anulimin e urdhërit dhe fshirjen e shënimeve të bëra në regjistrin hipotekor. Pak ditë pasi firmosi këtë anulim, më 6 tetor 2019, Hodaj dha dorëheqjen, ndërsa Canameti mori postin e saj.
Përpos largimit të 4 drejtuesve në pak muaj, një sërë punonjës të kadastrës në Vlorë u shkarkuan dhe ndaj të tjerëve u morën masa disiplinore. Duke kërkuar të mbeteshin anonimë, juristë të ASHK-së në Vlorë i thanë BIRN se ndjeheshin të kërcënuar, sepse bëhej fjalë për një pronë me vlerë miliona euro.
Megjithatë, BIRN mësoi se para policisë, asnjë nga zyrtarët nuk ka pranuar se është kërcënuar ashtu siç pretendojnë palët në kallëzimet e tyre.
Drejtori aktual i ASHK-së në Vlorë, Taulant Canameti, i cili zuri vendin e Hodajt, nuk pranoi të fliste mbi detajet e dosjes. Canameti, i cili akuzohet nga Kristo Gjoka si pjesë e grupit të Xhillarit, shoqërohet prej kohësh në punë prej punonjësve të Gardës që qëndrojnë jashtë zyrave të kadastrës në mbrojtje të tij.
“Do të zbardhet shumë shpejt e gjithë e vërteta e kësaj çështjeje,” tha Canameti. “E rëndësishme për qytetarët është që institucioni është në punë dhe nuk kanë asnjë arsye të frikësohen apo shqetësohen,” përfundoi ai.
Marrë me shkurtime nga Reporter.al