Luftë për pushtet dhe para në Bulqizë—të vërtetat e përplasjes së minatorëve me Albchrome

Nga Erblin Vukaj
Luftë për pushtet dhe para në Bulqizë—të vërtetat e përplasjes së minatorëve me Albchrome

Prej 22 nëntorit ka patur një sërë përplasjesh mes minatorëve dhe kompanisë Albchrome në Bulqizë. Përplasjet nisën pas krijimit të një sindikate të re dhe largimit nga puna të 4 themeluesve të saj. Sindikata e re është konfliktuar me sindikatat ekzistuese, të cilat pretendojnë se kushtet dhe pagat në miniera janë përmirësuar duke vënë në dyshim synimet dhe mënyrat se si po vepron sindikata e re.

Exit News sjell më poshtë faktet dhe pretendimet e palëve.

Albchrome dhe sektori minerar

Sipas një raporti zyrtar të vitit 2015, miniera e Bulqizës nxjerr rreth 60 për qind të prodhimit vjetor të kromit në vend. Në të ushtrojnë veprimtari rreth 37 kompani—110 nga 260 lejet minerare të dhëna në vend për shfrytëzimin e kromit janë në rajonin e Bulqizës.

Dhjetëra vrasje të ndodhura dhjetëvjeçarin e fundit në këtë zonë janë lidhur me konfliktet për lejet e shfrytëzimit dhe mbivendosjen e tyre.

Kompania më e madhe që ushtron aktivitet në Bulqizë është Albchrome. Ajo ka 650 punonjës, nga rreth 3,300 që ka i gjithë sektori minerar i kromit.

Foto ilustruese nga miniera në Bulqizë.

Fillimisht, në vitin 2001, koncesioni 30 vjeçar për administrimin e minierave të kromit të zonës së Bulqizës iu dha një kompanie italiane, e cila krijoi kompaninë koncesionare Darfo Albania.

Në vitin 2009 ajo u ble nga kompania austriake ACR Holding, që i ndryshoi emrin në Albanian Chrome.

Kompania dështoi të plotësonte kushtet e koncesionit dhe nën presion nga qeveria, u ble në vitin 2013, nga Balfin Group në pronësi të biznesmenit Samir Mane. Pas blerjes, kompania ndryshoi emrin në Albchrome.

Në vitin 2017 me një vendim unanim pozitë-opozitë, të Kuvendit të Shqipërisë, afati i koncesionit iu shty me 10 vjet, deri në vitin 2040, me premtimin se Albchrome do të bënte më shumë investime, por pa ndryshuar kushtet e koncesionit pavarësisht zgjatjes së periudhës së shfrytëzimit.

Përplasjet dhe pretendimet mes palëve

Më 15 tetor 2019 Gjykata e Tiranës njohu formimin e një sindikate të quajtur Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB). Një muaj më vonë, SMBB shpalli themelimin e saj në Bulqizë. Pesë ditë më pas, kryetari i SMBB-së, Elton Dobreshi, u pushua nga puna prej Albchrome. SMBB reagoi duke nxitur 9 ditë protesta gjatë të cilave u kërkuan rritje page, rishikim të normave të punës dhe rikthimin e Dobreshit në punë.

Pas protestave, Albchrome pushoi nga puna 3 minatorë të tjerë themelues të SMBB-së, Beqir Duriçin, Behar Gjimin dhe Ali Gjetën. Kompania e justifikoi pushimin me mungesa të pajustifikuara në punë, ndërsa SMBB pretendoi se minatorët u pushuan për shkak të aktivitetit sindikal, duke pretenduar gjithahstu se minatorë të tjerë ishin vënë nën presion.

Qëndrimi i SMBB-së nuk u mbështet nga dy sindikatat ekzistuese të minatorëve në Bulqizë, të cilat i quajtën të justifikuara pushimet nga puna.

Inspektoriati i punës ka nisur një hetim për pushimet nga puna, por nuk ka dalë ende me ndonjë përfundim zyrtar.

Ndërkohë në përplasjet Albchrome-minatorë u ndërfut, Organizata Politike (OP), një organizatë aktiviste që mbron të drejtat e të varfërve dhe punëtorëve, duke propaganduar ide dhe qasje komuniste.

Disa burime u shprehën për Exit News se OP ka qenë një nga nxitëset e krijimit të SMBB-së. Ajo që është e qartë është se OP u vu në mbështeje të SMBB-së që prej themelimit dhe filloi një fushatë sulmesh publike ndaj pronarit të Albchrome, Samir Mane.

Kryetari i SMBB-së, Elton Dobreshi.

Ndërkohë SMBB akuzoi sindikatat ekzistuese se “janë bërë palë me Albchrome dhe nuk përfaqësojnë më interesat e punëtorëve”.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), një bashkim i disa sindikatave të vendit, i quajti shpifje pretendimet e SMBB-së, duke u shprehur se “çdo minator anëtar [i sindikatës] ka pasur dhe i ka mundësitë të vlerësojë dhe gjykojë brenda strukturave shkelje të statutit, apo të ngrejë akuza pranë organeve kompetente për shkelje të ligjit”.

KSSH u shpreh për Exit News se e “konsideron çështjen të manipuluar politikisht dhe të mbështetur ekonomikisht nga biznese vendase të dyshimta në industrinë e kromit”.

Ndërsa Albchrome u shpreh po për Exit News se “ngjarje e zakonshme brenda kompanisë po amplifikohet nga një lëvizje politike për t’u paraqitur si çështje e rëndë dhe me pasoja edhe për minatiorë të tjerë”.

Punonjësit, sindikatat dhe kontratat kolektive 

Albchrome ka 652 të punësuar me kontratë kolektive të lidhur me Federatën Sindikale të Punonjësve të Industrisë (FSPI), e cila është anëtare e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH).

Presidenti i KSSH-së, Kolë Nikollaj, i tha Exit News se “prej 10 vitesh FSPI ka negociuar, nënshkruar dhe zbatuar kontratat kolektive të minatorëve” duke qenë se, siç e kërkon ligji, “ajo ka përfaqësuar mbi 50 për qind të punonjësve”.

KSSH u shpreh se “FSPI ka të anëtarësuar në KSSH 460 anëtarë”, që përbëjnë rreth 70 për qind të punonjësve të Albchrome.

Burime për Exit News thanë se pjesa tjetër prej rreth 190 minatorësh, përfaqësohej nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve, e cila bën pjesë në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH) nën drejtimin e zotit Gëzim Kalaja.

Mirëpo, pas tetorit 2019, sindikata e re SMBB thotë se me krijimin e saj shumë minatorë kanë braktisur sindiaktat e tjera dhe i janë bashkuar asaj.  Më 28 dhjetor, SMBB deklaroi se në të janë anëtarësuar mbi 320 minatorë – nëse kjo shifër është e vërtetë, atëhere SMBB ka arritur të përfaqësojë rreth 50 për qind të punonjësve të Albchrome.

Bulqizaime.al/Foto ilustruese nga miniera.

Numri i anëtarësisë përcakton sindikatën që do të duhet të negociojë kontratën kolektive për vitin 2020. Por zoti Nikollaj i tha Exit News se numri nuk mjafton pasi sindikata që negocion kontratën kolektive me kompaninë “duhet të ketë mbi 2 vite aktivitet, me më shumë se gjysmën e punonjësve anëtarë”. Është e qartë se SMBB nuk e plotëson këtë kusht.

Ndërkohë Albchrome thotë se u vu zyrtarisht në dijeni për formimin e SMBB-së vetëm më 16 dhjetor dhe, sipas saj, vetëm 21 punonjës të kompanisë janë anëtare të kësaj sindikate. Ky pohim mund të mos jetë i saktë pasi në shpalljen e SMBB-së kishte pjesëmarrje më të madhe se 21 punonjës.

SMBB këmbëngul se “minatorët nuk janë pyetur për kontratat kolektive” të nënshkruara mes Albchrome dhe FSPI-së, se “askush nuk e ka parë kontratën e fundit” dhe se “prej nëntorit SMBB nuk ka marrë përgjigje për 4 kërkesa të bëra kompanisë, Ministrisë së Financave dhe Zyrës së Punës për t’iu vënë në dispozicion kjo kontratë”.

Pretendimet për paga dhe kushte më të mira të punës

KSSH i tha Exit News se “pagat e minatorëve janë me norma” dhe “variojnë nga 32 mijë lekë deri në 86 mijë lekë në muaj, në varësi të pozicionit, shkallës së vështirësisë dhe realizimit të normës”. Pagës i shtohet edhe 15 mijë lekë, që minatorëve “do t’u takonte për dietën ushqimore”. Në këtë mënyrë paga e minatorëve varion nga 47 mijë deri në 101 mijë lekë.

Presidenti i KSSH-së, zoti Nikollaj tha se “prej vitesh aksidentet në miniera janë minimizuar”, si rezultat i “investimeve nëntokë, pajisjes me rroba dhe mjete pune dhe zbatimit të rregullave të sigurimit teknik”. Zoti Nikollaj tregoi se minatorët marrin shërbim dhe kujdes mjekësor dhe se kompania Albchrome “është e vetmja që ka bërë sigurimin e jetës për të gjithë punonjësit”.

Minator duke protestuar në Tiranë, dhjetor 2019.

Por ndryshe pretendon SMBB. Në një deklaratë të shpërndarë në Facebook, ajo pohon se “për vite me radhë Inspektoriati i Punës ka konstatuar shkelje të sigurisë” dhe se “nga 19 punëtorë të vrarë në Bulqizë prej vitit 2013, 8 janë vrarë në minierën ku operon Albchrome”.

Numri i vdekjeve në Bulqizë është i paqartë, edhe për shkak se ato kanë kaluar pa bërë jehonë mediatike dhe pa pasoja për askënd.

Vetë Albchrome i kundërshton këto pretendime. Ajo i tha Exit News se shifrat janë të ekzagjeruara, por nuk mohoi direkt aksidentet dhe vdekjet. Kompania tha se të dhënat zyrtare i duhen kërkuar institucioneve.

Albchrome thotë se ka investuar miliona euro në miniera dhe se i trajton punëtorët në mënyrën “më dinjitoze të mundshme në krahasim me secilën prej 36 kompanive të tjera të shfrytëzimit të kromit në vend”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>