Qeveria shqiptare lehtësoi bisedimet për arritjen e e një marrëveshjeje mes partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës për të hyrë në zgjedhjet në Serbi me një listë të përbashkët. Zgjedhjet e përgjithshme në Serbi do të mbahen në 26 prill 2020.
Ministri në detyrë Gent Cakaj e dha lajmin përpara mediave, një ditë pasi kryeministri Edi Rama paditi për shpifje në Kosovë Kryeministrin në detyrë Ramush Haradinaj. Padia e Ramës ndaj Haradinaj, për një temë që lidhej me përfitimet e mundshme serbe në Kosovë, u kritikua rëndë nga opinioni publik në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporë.
Cakaj e lajmëroi arritjen e marrëveshjes edhe në gjuhën angleze në Twitter:
“Ishte nder i madh të lehtësoja arritjen e marrëveshjes mes udhëheqësve të mençur politikë të Luginës së Preshevës. Sot ata vendosën të kenë një listë të përbashkët zgjedhore, duke u bërë të mundur votuesve të kenë vota dhe zë të fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme. Urime!”
Lugina e Preshevës, e përbërë nga tri komunat Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, ka shumicë etnike shqiptare. Kjo zonë është përmendur shpesh në media si zonë për shkëmbim me një pjesë të veriut të Kosovës, si pjesë e planit të supozuar për shkëmbime territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.
Arritjen e marrëveshjes e përshëndetën Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Rama.
Nga qeveria serbe nuk pati asnjë reagim.
Në 2017, Qeveria Rama lehtësoi edhe arritjen e një marrëveshjeje mes partive shqiptare në Maqedoni. “Platforma Shqiptare” u firmos nga të gjitha partitë shqiptare, nën kujdesin e qeverisë së Tiranës. Kjo platformë kërkonte të drejta të barabarta për shqiptarët dhe maqedonasit, zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës, njohjen e plotë të shqiptarëve si kombësi shtetformuese dhe përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet maqedonase.