
Aleksandër Lukashenko presidenti autoritar i Bjellorusisë ka urdhëruar mbylljen e plotë të kufirit me Ukrainën, me pretendimet se nga vendi fqinj po hyn një sasi e madhe armësh.
Njoftimi u bë përmes medias shtetërore, më 2 korrik, raportoi REL. Lukashenko nuk i vërtetoi me asnjë fakt pretendimet e tij.
Regjimi i tij po përballet me presion ndërkombëtar për shtypjen e opozitës dhe protestuesve, pas rezultateve të kundërshtuara të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në gusht të vitit 2020.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera kanë vendosur sanksione ndaj entiteteve bjelloruse dhe rrethit të ngushtë të Lukashenkos për dhunën ndaj aktivistëve pro-demokracisë dhe politikanëve të opozitës.
Rezultatet e zgjedhjeve e nxorën fitues Lukashenkon, por opozita thotë se zgjedhjet ishin të manipuluara dhe Perëndimi ka refuzuar të njohë rezultatet zyrtare si dhe nuk e konsideron Lukashenkon si udhëheqësin legjitim të vendit.