Lukashenko paralajmëron ndryshime kushtetuese me referendum

Nga Exit News
Lukashenko paralajmëron ndryshime kushtetuese me referendum

Presidenti Bjellorus Aleksandër Lukashenko njoftoi të enjten se një sërë ndryshimesh kushtetuese, disa të kërkuara për muaj me radhë nga opozita e vendit, do t’i nënshtrohen referendumit në fillim të 2022, raporton DW.

Lukashenko dhe 2,700 delegatë pro-qeveritarë u mblodhën në një asamble të posaçme për të diskutuar reformën politike dhe zhvillimin socio-ekonomik të ish republikës Sovjetike për pesë vitet e ardhshme.

Udhëheqësi tha se zyrtarët duhet të “reflektojnë” mbi ndryshimet e gjera ligjore.

“Gjatë këtij viti, drafti i Kushtetutës do të jetë gati dhe do të diskutohet nga shoqëria. Dhe në fillim të vitit të ardhshëm do të votohet në një referendum,” tha ai.

Asnjë kritik i regjimit të Lukashenkos nuk u ftua në kongresin dy-ditor.

Para asamblesë, Lukashenko deklaroi se Bjellorusia “duhet të mbetet një republikë presidenciale” edhe pas përfundimit të qeverisjes së tij.

Ai tha se do të kishte një Bjellorusi pa të, por “jo sot, jo nesër, as pasnesër”.

Sipas Lukashenkos, reformat kushtetuese dhe ligjore të propozuara, mund të përfundojnë në fund të vitit të ardhshëm.

Opozita e Bjellorusisë hodhi poshtë premtimet e Lukashenkos.

“Ata nuk janë përfaqësues të popullit. Kjo nuk ka asnjë kuptim për Bjellorusët,” tha udhëheqësi i opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya për agjencinë franceze të lajmeve AFP, duke shtuar se Bjellorusët nuk duhet të presin asgjë nga ky “kult i madh i një regjimi”.

Në kulmin e protestave vitin e kaluar, Lukashenko premtoi të paraqesë reformat institucionale dhe kushtetuese në Asamblenë e gjashtë Popullore.

Të enjten, megjithatë, ai u kërkoi delegatëve vetëm të “mendonin” për këtë.

Gjatë asamblesë, Lukashenko goditi gjithashtu gjashtë muajt e protestave kundër sundimit të tij si një “rebelim” i drejtuar nga jashtë.

Ai tha se “forca shumë të fuqishme” jashtë vendit ishin prapa protestave.

Gjatë disa muajve të fundit, Lukashenko ka akuzuar vazhdimisht Perëndimin për nxitjen e protestave.

Bjellorusia “pësoi një nga sulmet më mizore nga jashtë,” tha ai.

Demonstratat e vitit 2020 shënuan valën më të madhe të protestave të vendit që kur Lukashenko erdhi në pushtet në 1994.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>