Siç pritej, Partia Demokratike dhe partitë e tjera të opozitës refuzuan të dorëzojnë dokumentacionin për t’u regjistruar në zgjedhjet parlamentare të qershorit brenda afatit të 29 prillit.
Dje Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i bëri thirrje qytetarëve për mosbindje civile nëse zgjedhjet do të zhvillohen pa opozitën:
Nëse republika e vjetër nuk tërhiqet nga plani dhe projekti për të asgjesuar pluralizimin, për ta zëvendësuar atë me pluralizmin fasadë dhe për të vazhduar demokracinë fasadë, nëse kjo nuk ndodh në 18 qershor në mesnatë, Kushtetuta dhe ligjet e republikës së vjetër, për republikën e re do të jenë të pavlefshme, nul.
Më 19 qershor asnjë qytetar i lirë shqiptar që e ndjen veten pjesë të republikës së re nuk duhet të paguajë asnjë taksë të republikës së vjetër dhe nuk do ti bindet asnjë ligji të republikës së vjetër. Ju duhet ta dini se republika e vjetër, dje gjatë gjithë ditës dhe në orët e vona të natës ofroi shumë të majme partive politike opozitare me qëllim regjistrimin e tyre në thyerje të vendimit të koalicionit opozitar.
Në Facebook, Zoti Basha njoftoi gjithashtu një protestë masive më 7 maj në Kavajë, ditën kur do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme lokale pas shkarkimit të ish-kryebashkiakut Elvis Rroshi, për shkak të shkeljes së ligjit të dekriminalizimit. Partia Socialiste do të jetë pjesëmarrësja e vetëm në këto zgjedhje. Si PD dhe LSI kanë refuzuar të marrin pjesë.
7 maji do të jetë dita e atakut kardiak të republikës së vjetër. Në kryeqytetin e lirisë dhe të demokracisë, në Kavajën e burrave dhe të grave që u ngritën të parët kundër diktaturës më mizore, regjimi i republikës së vjetër ka zgjedhur të fillojë asgjësimin e pluralizmit, përmes zgjedhjeve fasadë të diktuara nga krimi dhe korrupsioni.