Lumi i Bushtricës, një nga dy lumenjtë e vetëm në vend ku praktikohet sporti i raftingut, do të shkatërrohet nga ndërtimi i katër hidrocentraleve.
Vitet e fundit, ky lum është kthyer në një pikë turistike të vizituar nga turistët e huaj dhe praktikuesit e sportit të raftingut.
Por, vendimi i qeverisë për ndërtimin e katër hidrocentraleve përgjatë rrjedhës së lumit do të shkatërrojë në mënyrë të pakthyeshme rrjedhën e tij, duke larguar turistët.
Në artikullin e publikuar sot nga Monitor.al bëhet e ditur se Ministria e Energjisë dhe Industrisë (MEI) ka nisur procedurat e dhënies me koncesion të hidrocentralit të katërt mbi lumin Bushtrica.
Në prill 2017, qeveria hapi tenderin për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe shfrytëzimit të hidrocentraleve Bushtrica 1 dhe Bushtrica 2. Ndërsa në qershor 2017, u hap tenderi për hidrocentralin Bushtrica 3. Për asnjërin prej 3 hidrocentraleve të parë nuk kanë përfunduar ende procedurat e tenderimit.
Vendimi i MEI për të nisur procedurat e tenderimit, ndër të tjera, është në kundërshtim me VKM e miratuar më 5 korrik, sipas së cilës pezullohen në mënyrë të përkohshme kryerja e prokurimeve publike nga institucionet shtetërore.