Numrat e telefonit të 14 krerësh shtetesh dhe qeverish, mes tyre edhe ai i presidentit francez Emmanuel Macron, janë në listën e numrave të përgjuar nga programi Pegasus, sipas The Guardian.
Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa dhe kryeministri pakistanez, Imran Khan, janë gjithashtu në listë ku përfshihen diplomatë, shefa ushtarakë dhe politikanë të lartë nga 34 vende.
Sipas hetimit të kryer nga disa media ndërkombëtare, firma izraelite NSO ka ofruar programin e saj Pegasus për të përgjuar politikanë, binzesmenë e gazetarë.
Programi Pegasus, i cili funksionon si një virus në telefon, ndez kamerën ose mikrofonin e telefonit dhe merr të dhënat që ka në të. Hetimi tregon se janë spiunuar më shumë se 50,000 numra telefoni, që nga viti 2016, në më shumë se 50 vende.
The Guardian dhe partnerë të tjerë mediatikë kanë identifikuar qeveri të disa vendeve që besohet të jenë përgjegjëse për zgjedhjen e numrave për t’u përgjuar.
Figurat politike, numrat e të cilave shfaqen në listë përfshijnë:
- Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, i cili është zgjedhur për tu mbikqyrur nga Ruanda në 2019.
- Emmanuel Macron, presidenti francez, i cili është zgjedhur nga Maroku në vitin 2019.
- Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili gjithashtu duket se ka qenë me interes për Marokun në 2019.
- Saad Hariri, ish-kryeministër i Libanit i zgjedhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe në 2018 dhe 2019.
- Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, i zgjedhur nga Maroku në 2019, kur ishte kryeministër i Belgjikës.
- Mbreti Mohamed VI i Marokut, i zgjedhur nga forcat e sigurisë në vendin e tij në 2019.
- Saadeddine Othmani, kryeministri i Marokut, i cili gjithashtu u zgjodh në 2018 dhe 2019 nga elementë brenda vendit të tij.
- Imran Khan, kryeministri i Pakistanit, i cili u zgjodh nga India në 2019.
- Felipe Calderón ish-presidenti i Meksikës. Numri i tij u zgjodh në 2016 dhe 2017 nga një klient meksikan gjatë një periudhe kur gruaja e tij, Margarita Zavala po kandidonte për presidente në Meksikë pasi Calderon kishte lënë detyrën.
- Robert Malley, një diplomat i vjetër amerikan i cili ishte kryenegociatori në marrëveshjen SHBA-Iran i cili është zgjedhur nga Maroku në 2019.
Kompania izraelite NSO është shprehur se prania e numrit në listën e zbuluar nga mediat nuk do të thotë se ato janë mbikqyrur nga Pegasus.
NSO tha që Macron nuk ishte “shënjestër” e asnjë prej klientëve të saj, dhe gjithashtu as Mbreti Mohammed VI dhe shefi i OBSH, Tedros Ghebreyesus.
NSO këmbëngul se u kërkon klientëve të saj qeveritarë të përdorin mjetet e saj të fuqishme të spiunimit për hetime të ligjshme mbi terrorizmin ose aktivitetet të tjera kriminale.
Shtete të tjera që dyshohet të kenë qenë klientë të NSO për të spiunuar përmes programit Pegasus janë Hungaria, Arabia Saudite dhe Pakistani.