Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka cilësuar “drastike” kritikat e presidentit francez Emanuel Makron ndaj NATO-s.
Merkeli i doli në mbrojtje Aleancës, pasi Makroni tha për gazetën The Economist se brenda NATO-s kishte mungesë koordinimi strategjik. Ai mori shkas për kritikën nga ndërhyrja e Turqisë në Siri, pas koordinimit vetëm me SHBA-të, por jo me vendet evropiane anëtare në NATO.
Makroni tha për situatën aktuale se “po përjetojmë një vdekje klinike të NATO-s”.
Sulmi ushtarak i Turqisë në Siri ka sjellë diskutime lidhur me një ndër detyrimet kryesore të NATO-s: kur një vend anëtar sulmohet, atëherë e gjithë aleanca shkon në mbrojtje ushtarake të anëtarit. Ky është Neni 5 i traktatit të NATO-s. Mirëpo ka debate nëse ky nen mund të zbatohet në situatën kur Siria mund të kundërpërgjigjej me sulm ndaj Turqisë.
Neni 5 është zbatuar vetëm një here në historinë e Aleancës, të nesërmen e sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork.
Presidenti francez, edhe pse këmbënguli se SHBA-të mbeten aleate kryesore, tha se “nuk besonte se kjo ishte më garanci”. Sipas tij, kjo ka ardhur si pasojë e paparashikueshmërisë në rritje të presidencës në SHBA.
Komentet e Makronit janë pritur mirë nga Rusia. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zaharova i quajti “fjalë të arta” vlerësimet e Makronit.
Ndërsa Merkeli i hodhi poshtë kritikat. Pas një takimi me Sekretarin e NATO-s Jens Stoltenberg në Berlin me rastin e 30-vjetorit të rënies së Murit, ajo i cilësoi si “drastike” komentet e Makronit:
“Presidenti i Francës zgjodhi fjalë drastike. Ky nuk është këndvështrimi im rreth bashkëpunimit që kemi në NATO. Mendoj se këto goditje të forta nuk janë të nevojshme.”
Përveç Merkelit, në mbrojtje të Aleancës doli edhe Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Mike Pompeo duke e konsideruar organizatën si “aleancën më të rëndësishme që ka parë historia”.
NATO u themelua më 4 prill të vitit 1949 si formë mbrojtjeje nga blloku komunist. Aktualisht ka 29 anëtarë. hqipëria u bë pjesë e aleancës më 1 prill 2009.