Macron ndryshon telefonin pas skandalit Pegasus

Nga Exit News
Macron ndryshon telefonin pas skandalit Pegasus

Presidenti francez Emmanuel Macron ka ndryshuar aparatin dhe numrin e tij të telefonit pas zbulimit të skandalit të përgjimit  Pegasus, njoftoi një zyrtar i presidencës të enjten, në të njëjtën ditë që Macron mbajti një takim urgjent mbi sigurinë kibernetike në Pallatin Élysée.

Macron ka kërkuar “një forcim të të gjitha protokolleve të sigurisë” në lidhje me mjetet e ndjeshme të komunikimit, njofton France24.

Presidenti mbajti një takim emergjent të sigurisë kibernetike të enjten për të vendosur mbi veprimet e mundshme të qeverisë pas raporteve që telefoni i tij celular dhe ato të ministrave të qeverisë mund të ishin përgjuar.

Macron ndryshon telefonat rregullisht dhe “po e merr çështjen shumë seriozisht”, tha zëdhënësi i qeverisë Gabriel Attal të enjten në radio France-International.

Mediat e rëndësishme botërore raportuan këtë javë se programi i spiunimit Pegasus i krijuar nga kompania izraelite NSO Group mund të jetë përdorur për të spiunuar politikanë, aktivistë dhe gazetarë në disa vende.

Gazeta franceze Le Monde, një ndër mediat e përfshira në investigim, raportoi se një agjenci marokene e sigurisë kishte telefonat celular të Macron dhe 15 anëtarëve të qeverisë franceze në 2019.

Qeveria e Marokut ka mohuar akuzat dhe ka kërcënuar me veprime ligjore lidhur me pretendimet “e pabazuara” për spiunim.

Prokurorët në Paris thanë të martën se ata kishin hapur një hetim për shërbimet e inteligjencës marokene. Hetimi do të shqyrtojë 10 akuza të ndryshme, përfshirë nëse ka pasur shkelje të privatësisë personale, akses mashtrues në pajisjet elektronike personale.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>