Macron: Nuk do të ketë negociata derisa të ndalet emigracioni shqiptar drejt Francës

Macron: Nuk do të ketë negociata derisa të ndalet emigracioni shqiptar drejt Francës

“Si mund të më kërkoni mua t’ua shpjegoj votuesve të mi, se vendi i dytë që kërkon azil në Francë janë njerëzit që vijnë nga Shqipëria, por që [në Shqipëri] çdo gjë po shkon aq mirë sa tani duhet të hapim negociatat për të hyrë në Bashkimin Europian?!

Nëse nuk ua shpjegoj dot njerëzve, atëherë kemi një problem të madh. Dhe sot unë nuk mund t’ua shpjegoj dot.”

Kështu deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron, dje në konferencën për shtyp me Kancelaren gjermane Merkel në Tuolouse.

Macron kërkoi zgjidhjen e problemit të emigracionit dhe plotësimin e kushteve të tjera të vendosur nga Komisoni, përpara hapjes së bisedimeve me Shqipërinë:

“Dhe ka disa elementë për të përfunduar me këtë vend [Shqipërinë]. Mendoj se është ndalimi i emigrimit, mendoj gjithashtu edhe për kushtet që i janë vënë nga Komisioni.”

Gjatë konferencës, ai e quajti të çuditshme heqjen e vizave me Shqipërinë përpara se të fillojnë bisedimet për hapjen e negociatave dhe argumentoi se rezultati i kësaj politike janë mijëra shqiptarë që kërkojnë azil në Francë:

“Ne kemi me Shqipërinë lirinë e qarkullimit pa viza, në të njejtën kohë që nuk kemi hapur negociatat. Kjo është një lloj marrëdhënie e çuditshme.”

Macron u shpreh se hapat në procesin e anëtarësimit duhet të bëhen në radhën e duhur. Derisa kjo radhë të vihet në vend nuk do të hapen negociatat me asnjë vend tjetër, tha Macron.

“Ne kemi nevojë t’i kthejmë gjërat në radhën e duhur, sepse nuk po shkojnë fare mirë. Sepse duke shfrytëzuar këtë liri të vizave, sot kemi në Francë mijëra e mijëra njerëz që kërkojnë azil.”

Ai kritikoi qasjen e tanishme që negociatat me një vend mund të hapen e nëse një vend bën hapa pas BE nuk ka mundësi të kthehet mbrapsht:

“I kemi bërë gjërat në një mënyrë që nuk funksionon, ne duhet t’i kthejmë gjërat në radhën e duhur dhe të kemi një qasje që është progresive, më e organizuar dhe që të jetë e kthyeshme. Pa, një proces i besueshëm, që mund të ndalohet në çdo çast.”

Macron mori shembullin e Turqisë, me të cilën janë hapur negociatat dhe kanë ngecur, por ndërkohë ato nuk mund të kthehen mbrapsht sepse BE nuk ka një rregullore për këtë:

“Dhe ne po e shohim këtë me Turqinë për momentin. Ka disa vite që, gjithë bota e di, kemi filluar negociatat për anëtarësimin.

Po a mendon njeri sot se Turqia ka vokacionin për të hyrë në Bashkimin Europian?

Kemi një proces që nuk është i kthyeshëm. Mund të ndalet plotësisht, po nuk është i kthyeshëm. Do ta modernizojmë këtë procedurë.”

Qendrimi i Francës dhe Gjermanisë për emigracionin është qartësuar edhe në dokumentit e deklaratës së përbashkët të firmosur dje në Toulouse, në të cilin parashikot se:

“Franca dhe Gjermania e mbështesin prezantimin dhe miratimin e një pakete të re ligjore për reformimin e sistemit evropian të azilit, përfshirë rregullat e Dublinit dhe Shengenit.

Të dyja vendet inkurajojnë Komisionin të propozojë një sistem të ri evropian për azilin duke harmonizuar rregullat dhe praktikat e azilit në të gjithë BE-në, si dhe përmirësimin e databazës evropiane për azilit kërkuesit, e cila të jepë një pamje më të qartë të aplikimeve për azil dhe se si ato prekin vendet anëtare.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>