Janë të paktën tre magjistrate që sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, megjithëse janë rikonfirmuar në detyrë e do të vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë, zotërojnë aftësi “minimale” profesionale.
Nga vendimet e KPK-së të bëra publike deri më tani, Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku, gjyqtarja e Tiranës Alma Brati dhe gjyqtarja e Apelit Vlorë Brikena Ukperaj kanë pikëpyetje të mëdha për sa i përket formimit profesional.
Kështu, Kryeprokororja e Përkohshme Arta Marku u përball me ankesa nga Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit që gjatë seancës dëgjimore. Përfaqësuesi i ONM-së Theo Jacobs, gjatë seacës, kërkoi të dinte nga Arta Marku arsyet e kërkimit të masës së sigurisë dënim me burg ndaj një personi i cili ishte kapur duke i dhënë makinës në gjendje të dehur. Zoti Jacobs tha se Prokurorja nuk kishte prova dhe shpjegime se përse personi duhet të qendronte në burg. Sipas Përfaqësuesit të ONM-së masa e sigurisë e dhenë nga Prokurorja Marku nuk ka qenë e bazuar në prova.
Lidhur me këtë rast, në vendimin e KPK-së shkruhet:
“Subjekti i rivlerësimit duhet të kishte arsyetuar qartë, me detaje, shkaqet që justifikonin nevojën absolute për kufizimin e lirisë së të pandehurit dhe se, kërkesa për “arrest me burg” ishte tërësisht e nevojshme dhe e mbështetur në ligj.”
Një tjetër vërejtje ndaj punës së Zonjës Marku kishte të bënte me “riorganizimin” e Prokurorisë me ardhjen e saj në janar 2018, pra me shkarkimet e emërimet e shumta Marku urdhëroi.
“Komisioni, në lidhje me ‘metodologjinë’ e përdorur në riorganizimin e janarit të vitit 2018, të kryer në institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme vëren se, që nga janari, subjekti i rivlerësimit nuk ka marrë asnjë hap për të përmirësuar ‘procedurën e emërimit’ për ta bërë atë më transparente,” vazhdon më tej vendimi.
Gjyqtarja e Tiranës Alma Brati, po ashtu, nuk ka marrë vlerësim pozitiv për aftësitë profesionale, megjthëse kaloi vetingun.
Në vendimin e KPK-së për Zonjën Brati, shkruhet:
Lidhur me aftësitë profesionale
“Vendimet gjyqësore përfundimtare të arsyetuara nga subjekti i rivlerësimit përgjithësisht janë të qarta dhe të kuptueshme, ndonëse nuk mungojnë rastet kur pjesë të vendimeve gjyqësore iu mungon qartësia. Struktura e 32 vendimeve të saj nuk është e standardizuar. Në drejtim të qartësisë së arsyetimit, ajo nuk respekton tërësisht rregullat e drejtshkrimit dhe nuk përdor rregullisht të gjitha karakteret e gjuhës shqipe. Nuk mungojnë rastet, kur fjalitë kanë gabime gjuhësore.”
Lidhur me aftësinë organizative
“Nga vëzhgimi i 5 dosjeve gjyqësore të përzgjedhura me short është konstatuar se aktet themelore janë të rregullta, të sakta dhe të plota. Megjithatë, në 4 dosje janë konstatuar mangësi.”
Ndërsa për gjyqtaren e Apelit Vlorë Brikena Ukperaj, KPK shkruan se ajo ka “nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.” Ky vlerësim u dha për shkak se në 3 prej 5 dosjeve të gjyqtares Ukperaj, të përzgjedhura me short për tu hetuar, ka pasur vonesa të konsiderueshme që janë në shkelje te afateve procedural të parashikuar nga Kodi i Procedurës Civil, si dhe të afatit për ushtrimin e rekursit.
Për gjyqtaren Ukperaj ishin bërë 10 denoncime nga qytetarët, një numër ky relativisht ilartë krahasuar me ankesat për magjistratët e tjerë.
Deri më tani, nga vetingu asnjë magjistrat nuk është shkarkuar vetëm në bazë të kriterit profesional, megjithatë si në rastin e tre zonjave, kjo nuk do të thotë se drejtësia pas vetingut do të jetë tërësisht e aftë profesionalisht.