Magjistratët që kalojnë vetingun, por kanë aftësi minimale profesionale

Magjistratët që kalojnë vetingun, por kanë aftësi minimale profesionale

Janë të paktën tre magjistrate që sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, megjithëse janë rikonfirmuar në detyrë e do të vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë, zotërojnë aftësi “minimale” profesionale.

Nga vendimet e KPK-së të bëra publike deri më tani, Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku, gjyqtarja e Tiranës Alma Brati dhe gjyqtarja e Apelit Vlorë Brikena Ukperaj kanë pikëpyetje të mëdha për sa i përket formimit profesional.

Kështu, Kryeprokororja e Përkohshme Arta Marku u përball me ankesa nga Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit që gjatë seancës dëgjimore. Përfaqësuesi i ONM-së Theo Jacobs, gjatë seacës, kërkoi të dinte nga Arta Marku arsyet e kërkimit të masës së sigurisë dënim me burg ndaj një personi i cili ishte kapur duke i dhënë makinës në gjendje të dehur. Zoti Jacobs tha se Prokurorja nuk kishte prova dhe shpjegime se përse personi duhet të qendronte në burg. Sipas Përfaqësuesit të ONM-së masa e sigurisë e dhenë nga Prokurorja Marku nuk ka qenë e bazuar në prova.

Lidhur me këtë rast, në vendimin e KPK-së shkruhet:

“Subjekti i rivlerësimit duhet të kishte arsyetuar qartë, me detaje, shkaqet që justifikonin nevojën absolute për kufizimin e lirisë së të pandehurit dhe se, kërkesa për “arrest me burg” ishte tërësisht e nevojshme dhe e mbështetur në ligj.”

Një tjetër vërejtje ndaj punës së Zonjës Marku kishte të bënte me “riorganizimin” e Prokurorisë me ardhjen e saj në janar 2018, pra me shkarkimet e emërimet e shumta Marku urdhëroi.

“Komisioni, në lidhje me ‘metodologjinë’ e përdorur në riorganizimin e janarit të vitit 2018, të kryer në institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme vëren se, që nga janari, subjekti i rivlerësimit nuk ka marrë asnjë hap për të përmirësuar ‘procedurën e emërimit’ për ta bërë atë më transparente,” vazhdon më tej vendimi.

Gjyqtarja e Tiranës Alma Brati, po ashtu, nuk ka marrë vlerësim pozitiv për aftësitë profesionale, megjthëse kaloi vetingun.

vendimin e KPK-së për Zonjën Brati, shkruhet:

Lidhur me aftësitë profesionale

“Vendimet gjyqësore përfundimtare të arsyetuara nga subjekti i rivlerësimit përgjithësisht janë të qarta dhe të kuptueshme, ndonëse nuk mungojnë rastet kur pjesë të vendimeve gjyqësore iu mungon qartësia. Struktura e 32 vendimeve të saj nuk është e standardizuar. Në drejtim të qartësisë së arsyetimit, ajo nuk respekton tërësisht rregullat e drejtshkrimit dhe nuk përdor rregullisht të gjitha karakteret e gjuhës shqipe. Nuk mungojnë rastet, kur fjalitë kanë gabime gjuhësore.”

Lidhur me aftësinë organizative

“Nga vëzhgimi i 5 dosjeve gjyqësore të përzgjedhura me short është konstatuar se aktet themelore janë të rregullta, të sakta dhe të plota. Megjithatë, në 4 dosje janë konstatuar mangësi.”

Ndërsa për gjyqtaren e Apelit Vlorë Brikena Ukperaj, KPK shkruan se ajo ka “nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.” Ky vlerësim u dha për shkak se në 3 prej 5 dosjeve të gjyqtares Ukperaj, të përzgjedhura me short për tu hetuar, ka pasur vonesa të konsiderueshme që janë në shkelje te afateve procedural të parashikuar nga Kodi i Procedurës Civil, si dhe të afatit për ushtrimin e rekursit.

Për gjyqtaren Ukperaj ishin bërë 10 denoncime nga qytetarët, një numër ky relativisht ilartë krahasuar me ankesat për magjistratët e tjerë.

Deri më tani, nga vetingu asnjë magjistrat nuk është shkarkuar vetëm në bazë të kriterit profesional, megjithatë si në rastin e tre zonjave, kjo nuk do të thotë se drejtësia pas vetingut do të jetë tërësisht e aftë profesionalisht.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>