Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko deklaroi, të hënën, se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po pengon procesin për votën e emigrantëve në zgjedhjet e 25 prillit.
Gjatë seancës plenare, Majko tha se nuk ka asnjë problem ligjor që ndalon votimin e emigratëve shqiptarë, por KQZ ka bllokuar punën duke pritur konsensusin e opozitës.
“Arsyetimi i KQZ-së se duhet pritur konsensusi i partive jashtë Kuvendit, është joligjor,” u shpreh Majko.
Ai shtoi se kjo po dëmton besueshmërinë e zgjedhjeve të 25 prillit.
Majko tha se ky është një standard që nuk duhet të pranohet, ashtu siç Kuvendi nuk pret konsensusin e opozitës jashtëparlamentit për çdo ligj që miraton:
“Çfarë do të thotë që për të zbatuar ligjin duhet të kemi “konsesus” politik që ta zbatojmë atë?!”
Pak ditë më parë, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi se ‘duhet konsensus për të siguruar votën e emigrantëve’.
“Nëse nuk bie palët dakord ne nuk do ta zbatojmë projektin”, u shpreh Celibashi.