Çështja e Parkut vazhdon të mbetet qendra e lajmeve politike. Çështje teorikisht më të rëndësishme, si ligji për dekriminalizimin apo ajo e refugjatëve në kufijtë tanë, duket se nuk ja kanë arritur të spostojnë fokusin.
Parku, si dhe disa çështje të tjera, përfshi atë të taksave vendore, duket se po përdoren për zgjidhjen e rivaliteteve, hakmarrjeve apo ambicieve të brendëshme politike në PS, të cilat duket se kanë qenë duke pritur për mundësinë më të përshtatshme.
Pak ditë më parë, duke shfrytëzuar revoltën e qytetarëve për mbifaturimet e ujësjellësit, Ministri Tahiri u ngut të dilte edhe ai, bashkë me qytetarët, në protestë kundër Bashkisë së Veliajt. Si rezultat i asaj proteste, u shkarkua drejtori i UKT-së, i konsideruar si njeri i deputetit Koço Kokëdhima.
Me sa duket si kundërpërgjigje, Koço Kokëdhima lëshoi Shekullin e tij kundër Kryebashkiakut Veliaj, duke publikuar argumentet e një ekologjisti kundër vendimit për të ndërtuar një kënd lojrash për fëmijët, në Parkun e Liqenit. Në këtë mënyrë, Kokëdhima bëri një rivendosje të papritur politike dhe në të njëjtën kohë, ngriti shumë pikëpyetje në lidhje me balancën e forcave brenda PS-së.
Papritur, kjo u pasua nga një deklaratë e ish Kryeminsitrit Pandeli Majko, të cilit Erion Veliaj i rrëmbeu rolin e kandidatit socialist për kryetar bashkie, pavarësisht se sondazhet e tregonin Majkon si më të preferuarin nga baza socialiste.
Majko, në fakt, u duk sikur u hakmor ndaj kësaj “padrejtësie” të Kryeministrit Rama, teksa në një takim elektoral gjatë fushatës u shpreh “Kam një shok në Selitë dhe më tha se atje ka nisur të këndohet një këngë me tekst ‘kam fiq te shpia, dua të bëhem si Erion Velia’.”
Por, pak ditë më parë, Majko u shfaq në krah të Veliajt me një deklaratë kundër “mercenarëve” që sulmojnë padrejtësisht “një djalë energjik dhe punëtor.” Majko u shpreh, gjithashtu, se është gjithnjë e më i lumtur me mbështetjen që i dha Veliajt gjatë fushatës zgjedhore. Ai e mbylli deklaratën e tij duke inkurajuar Veliajn të realizonte sheshin e lojërave dhe të transformonte Tiranën, dhe të mos tërhiqej në asnjë mënyrë.
Dukshëm “teoria e kokëderrit” vazhdon t’i pëlqejë shumë Majkos. Por, me sa duket i pëlqen shumë, gjithashtu, oferta që duket se i ka bërë Rama. Një ofertë që do e vendoste Ilir Metën në qoshe, duke “nxjerrë” Majkon, kandidat të PS-së për President në vitin 2017.
Kësisoj, mund të kemi një kre shteti, i cili ka për detyrë garantimin e Kushtetutetës, një njeri që adhuron “kokëdërrat” dhe quan “energji pozitive” përpjekjet që dhunojnë konventat ndërkombëtare, ligjet, dekretet, rregulloret dhe proçedurat e shtetit.