
Kampionia Olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi, është eleminuar në ndeshjen e parë të lojërave të ‘Tokyo 2020’.
Kelmendi humbi ndaj xhudistes hungareze, Reka Pupp. Në kohë të rregullt nuk pati triumfues kështu që ndeshja u vendos pasi gjyqtarja e ri-pa edhe njëherë xhirimin e përballjes.
Ndërpritet kështu këtu aventura e dytë olimpike për xhudisten 30 vjeçare, në kategorinë 52kg.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se pavarësisht rezultatit Majlinda Kelmendi ka realizuar ëndrrën e një populli të tërë.
“Faleminderit kampione, për këto e shumëçka tjetër. Sepse ajo çfarë ke bërë ti për Kosovën tejkalon çdo medalje. Pavarësisht rezultatit të sotëm, ti tashmë ke realizuar ëndrrën e një populli të tërë”, shkruan Osmani në rrjetet sociale.
Kelmendi arriti sukses historik për Kosovën në lojërat Olimpike në Brazil, 5 vite më parë ku fitoi medaljen e artë.
I njejti sukses për Kosovën u përsërit të shtunën ndaj Distria Krasniqi, e cila fitoi medalje ari në kategorinë 46 kilogramë.
Në Lojërat Olimpike 2020, Kosova po përfaqësohet nga 11 atletë që do të garojnë në gjashtë sporte.