Makinacioni i Veliajt për të përdorur Këshillin Bashkiak për shembjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar

Nga Alba Mborja
Makinacioni i Veliajt për të përdorur Këshillin Bashkiak për shembjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar

Këshilli Bashkiak pritet të miratojë të hënën një vendim që miraton “akt-ekspertizën e Institutit të Ndërtimit, datë 23, mars 2018” për gjendjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar.

Akti i ekspertizës, i hartuar në rrethana të dyshimta dhe pa oponencë teknike, shprehet se ndërtesa nuk është e përshtatshme për të kryer aktivitete kulturore dhe sado të ndërhyhet në strukturë, ajo nuk do të kthehet në kushte optimale.

Veliaj do ta përdorë këtë akt të parë si bazën për t’i imponuar pastaj Këshillit Bashkiak marrjen e vendimit për shembjen e ndërtesës—e cila sidoqoftë nuk mund të bëhet para se të ketë një projekt të ri ndërtimi të miratuar.

Makinacioni i Veliajt fillon që më faktin skandaloz që po i kërkon Këshillit Bashkiak të “miratojë” një dokument të hartuar para dy vjetëve.

Më e rëndësishmja është se vendimi që pritet të merret nesër nga Këshilli Bashkiak i Tiranës është i paligjshëm dhe absurd.

Para së gjithash sepse Këshilli Bashkiak kërkon të marrë vendim për një objekt që nuk është pronë e Bashkisë Tiranë. Vendimi i qeverisë i ka kaluar Bashkisë Tiranë vetëm pronësinë mbi truallin, por jo mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar.

Pikërisht, kjo pikë është edhe një nga kundërshtitë e ngritura nga Presidenti Meta para Gjykatës Kushtetuese.

Nga ana tjetër miratimi i këtij akt-ekspertimi nga Këshilli Bashkiak është një akt i pabazuar në ligj dhe në asnjë standard administrativ.

Akt-ekspertiza është një dokument teknik i firmosur nga ekspertët që e kanë kryer, profesionistë të licensuar, dhe drejtori i Institutit të Ndërtimit në emër të institucionit.

Si i tillë, ky dokument është akt juridik administrativ me fuqi të plotë adminsitrative e juridike dhe mund të jetë subjekt vetëm i shqyrtimit gjyqësor, por jo i ndonjë miratimi administrativ, e aq më pak i një miratimi nga një institucion politik si Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Këshilli Bashkiak jo vetëm nuk ka asnjë kompetencë ligjore, por as ka ekspertizë të miratojë akte të tilla. Është skandaloze që këshilltarë politikë bashkiakë të marrin përsipër të gjykojnë një ekspertizë teknike, për të cilën nuk kanë asnjë aftësi individuale dhe institucionale të shprehen.

Nga ana tjetër, ata nuk kanë asnjë bazë institucionale për të shqyrtuar një vendim të tillë: as Bashkia dhe as Këshilli Bashkiak nuk janë as porositësit, as marrësit e këtij akti ekspertimi, dhe për më tepër ato janë kryer nga një institucion i qeverisë qëndrore që është krejtësisht i pavarur nga pushteti lokal.

Mes gjithë këtyre shkeljeve kushtetuese, ligjore dhe institucionale, nëse Këshilli Bashkiak do të vendosë ta “miratojë” akt-ekspertizën do të dëshmojë që është një institucion i bindur dhe i kontrollur nga Kryebashkiaku Erion Veliaj, ndërkohë që detyra e tij kushtetuese është të kontrollojë Veliajn.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>