Makina e kryebashkiakut të Vlorës Dritan Leli është djegur nga një person i paidentifikuar. Lajmi raportohet nga gazetari Enrik Mehmeti për BalkanWeb, i cili thotë se policia ka sekuestruar pamjet filmike të disa bizneseve dhe në to shihet një person që i vë flakën makinës së kryebashkiakut.
Mëngjesin e së enjtes, në orën 04:26, makina e kryebashkiakut Leli u shkrumbua nga flakët ndërsa ishte e parkuar poshtë pallatit të shoferit të tij.
Policia u rezervua të tregonte detaje të tjera, por mediat tashmë kanë zbuluar se automjeti tip Range Rover u dogj nga një person i panjohur.
Gazetari Enrik Mehmeti raportoi për BalkanWeb se “një person i panjohur është fiksuar nga kamera të sigurisë ku pasi i vë flakën makinës largohet nga vendi i ngjarjes me një motor”.
Kohët e fundit në Vlorë ka patur përplasje për shkak të projektit Lungomare 2 që nis nga tuneli i Ujit të Ftohtë e deri në Radhimë. Gjurma e projektit bie mbi disa ndërtime, prishja e së cilave ka përplasur pronarët e tyre me policinë dhe Bashkinë.
Gjithashtu probleme ka patur edhe me pronat. Tre drejtorë hipoteke dhanë dorëheqjen në Vlorë vetëm muajin e fundit, ndërsa mediat kanë nxjerrë në pah se shkak i këtyre dorëheqjeve ka qenë konflikti për pronën e një resorti turistik.
Ky nuk është rasti i parë i djegjes së makinës së një kryebashkiaku në Vlorë. Në vitin 2012 iu vu zjarri makinës së kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Policia nuk e gjeti asnjëherë se kush qëndronte pas zjarrvënies.