Presidenti francez Emanuel Makron ka thënë se Franca do të votojë për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nëse raporti i Komisionit Evropian do të jetë pozitiv, raporton Reuters.
Duke folur në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në Gjermani, Makron raportohet se tha: “Ne jemi duke pritur për raportin në mars … në varësi të rezultateve, nëse do të jenë pozitive dhe do të kemi krijuar besim, atëherë do të jemi në gjendje t’i hapim negociatat.”
Në raportin e fundit në vitin 2019, KE rekomandoi hapjen e bisedimeve mes BE dhe dy vendeve të Ballkanit, por Presidenti Macron dhe udhëheqës të tjerë të BE-së e shtynë vendimin.
Deklarata pozitive e Makronit sot duket se ka të bëjë me faktin se KE hartoi një metodologjie të re të zgjerimit, që pritet të zbatohet për herë të parë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo ishte njëra ndër arsyet moshapjes së negociatave në tetor 2019.
Raporti i KE I muajit mars pritet të jetë pozitiv për të dy vendet. Bazuar në vërejtjet pozitive të Makronit sot, kjo do të thotë se mundësia që Shqipëria dhe Maqedonia të hapin negociatat për anëtarësim në BE në Samitin e Zagrebit në maj është e lartë.