
Parlamenti i Malit të Zi kaloi një ditë më parë një rezolutë që njeh zyrtarisht gjenocidin serb në Bosnje.
Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavinë ka konstatuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.
Rezoluta gjithashtu dënon deklaratat, veprimet dhe politikat që e mohojnë ose e vënë në dyshim gjenocidin në Srebrenicë.
Parlamenti malazez, përmes rezolutës, shpalli 11 korrikun si ditë përkujtimore për viktimat e Srebrenicës.
Rezoluta kaloi me mbështetjen e opozitës me 55 vota pro, 19 kundër dhe gjashtë abstenim.
Njëkohësisht, ligjvënësit shkarkuan minsitrin e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vladimir Leposavic për deklaratat e tij, në të cilat vinte në dyshim gjenocidin.
Ai u shpreh se do ta njihte gjenocidin kur të ishte provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm dhe se vendimi i Gjykatës së Hagës mbi krimet në ish-Jugosllani nuk kishte legjitimitet.
Vendimi u prit me entuziazëm nga ministri i Jashtëm boshnjak, Bisera Turkoviç, i cili e quajti “hap historik” për Malin e Zi, në Twitter.
“Gjithashtu një hap i madh drejt pajtimit, stabilitetit rajonal dhe një shtysë e fortë për luftën për të vërtetën dhe drejtësinë. Unë i përgëzoj njerëzit dhe autoritetet e Malit të Zi për këtë akt të drejtë dhe të përgjegjshëm,”shkruan ai.
Të njëjtin reagim patën edhe anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Zhelko Komshiq dhe Shefik Xhaferoviq, sipas një raportimi nga Radio Evropa e Lirë.
Në 1995, gjatë luftës së Bosnjes në vitet 1990, forcat serbe masakruan 8 300 burra myslimanë në Srebrenicë. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosën që ky ishte gjenocid.