Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi, të hënën, se në Shqipëri nuk është gjetur asnjë i infektuar me variantin e ri të Covid-19.
Gjatë një vizite në qendrën Shëndetësore tek ‘Qyteti Studenti’, Manastirliu u shpreh:
“Aktualisht në Shqipëri nuk kemi konfirmim të rasteve me variantin e ri të Covid-19, por duhet të jemi vigjilent për të kapur në kohë rastet.”
Ministrja nuk dha detaje se si janë testuar qytetarët për të parë nëse janë të infektuar me Covid-19 apo me mutacionin e tij, zbuluar në dhjetor në Britaninë e Madhe.
Instituti i Shëndetit Publik ka pranuar publikisht se nuk ka laborator për të zbuluar variantin e ri të Covid-19.
Dritan Ulqinaku, nëndrejtor i Institutit të Shëndetit Publik, ka deklaruar në dhjetor, se për shkak të mos pasjes së laboratorit, disa monstra do të dërgohen në laboratorët anglezë.
Por deri më tani as ISHP dhe as Ministria e Shëndetësisë nuk kanë informuar qytetarët për nisjen e mostrave drejt Anglisë, apo për rezultatin e analizave.
Varianti i ri i koronavirusit dyshohet se është shfaqur fillimisht në Britani dhe tani është përhapur në shumë vende të botës.
Testimet paraprake kanë treguar se varianti i ri i koronavirusit është më lehtë i transmetueshëm, mund të shkaktojë më shpejt mbipopullimin e spitaleve dhe mund të jetë më vdekjeprurës.