Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi sot se vendi është i përgatitur për të përballuar dhe luftuar në rast se në Shqipëri identifikohen persona të prekur nga koronavirusi.
Gjatë raportimit në Komitetin e Sigurisë Kombëtare, zonja Manastirkiu u shpreh:
“Kemi gati strukturat për përballimin e koronavirusit të ri, për karantinimin e personave të dyshuar, strukturat spitalore për trajtimin e rasteve potenciale si dhe strukturat ku do të zhvendosen shërbimet aktuale, nëse do të jetë e nevojshme. Kemi parashikuar skenarët për çdo situatë, që nga rasti i parë potencial e deri në maksimumin e parashikimit.”
Ajo tha se janë bërë gati dhe ambientet ku do të vendoset karantina, janë marrë masat sipas protokolleve ndërkombëtare dhe është siguruar stoku i mjaftueshëm i medikamenteve:
“Kemi përcaktuar bokset, dhomat e izolimit, është investuar në të gjitha linjat e oksigjenit në strukturën e Infektivit, për të bërë të mundur transformimin e këtij spitali, nëse do të kalonim në skenaret e tjerë, që do të ishin nga 0 në 100 si dhe 100 deri në 150 raste të prekura.”
Zonja Manastirliu përsëriti të dhënat e bëra publike nga ministria se deri tani në Shqipëri janë testuar 17 raste të dyshuara dhe kanë rezultuar të gjithë negativë.
Ndërkohë në Itali, si vendi burim i përhaphjes së koronavirusit në Evropë, vazhdojnë të rritet numri i të prekurve me më shumë se 528 raste të konfirmuara dhe 14 vdekje.
Të mërkurën Greqia dhe Maqedonia e Veriut u bënë shtetet e radhës që raportuan raste, ndërkohë që në Shqipëri autoritetet thanë se nuk kishte ende asnjë.
Sipas raportit ditor të së enjtes, rreth 82,200 persona janë prekur nga virusi (78,500 në Kinë), 2,800 kanë humbur jetën (2,747 në Kinë).
Për tu informuar më tepër rreth shpërhapjes së koronavirusit deri më tani mund të lexoni këtu, ndërsa për informacionet të tjera mund të lexoni këtu 9 pyetjet më të zakonshme rreth këtij virusi. Këtu mund të lexoni disa nga këshillat bazike që çdokush duhet t’i ketë parasysh.
Po ashtu, Exit News është konsultuar me disa specialistë të sëmundjeve infektive dhe të mushkërive dhe dëshiron të informojë lexuesit për disa nga rastet kur ata duhet të shqetësohen për mundësinë e prekjes nga koronavirusi. Për më tepër mund të lexoni këtu.