Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu akuzoi presidentin Metën se ka përdorur një raport të OBSH-së me të dhënat e para 4 viteve për sulmin e radhës ndaj qeverisë. Ministrja në një deklaratë për shtyp shprehet se numri i ulët i mjekëve në vitin 2016 u shkaktua nga bllokimi i qeverisë Berisha të specializimeve të mjekëve të rinj.
“Kështu kishte vendosur koalicioni qeverisës i periudhës 2009-2013, dhe për 4 vjet me radhë, Shqipëria nuk nxorri dot asnjë mjek specializant”, shkruan Manastirliu.
Ajo sqaroi se nga viti 2018 dhe në vijim “janë 309 mjekë më shumë në sistem”, dhe në dy vitet e fundit janë “punësuar mbi 600 mjekë dhe 2400 infermierë”.
Sipas të dhënave të OBSH-së për vitin 2016, Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të mjekëve për 10 mijë banorë në Europë dhe një ndër të fundit në gjithë botën.
Presidenti Meta shprehu shqetësimin e tij për numrin e ulët të mjekëve në Shqipëri, i cili sipas raportit të OBSH-së, është një prej më të ultëve në gjithë botën për 10 mijë banorë.