Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu njoftoi se në rast të rritjes së numrave të të infektuarve me koronavirus të shtruar tek Infektivi, qeveria do të hapë edhe ish-Kirurgjinë në QSUT dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, i cili do të trajtojë pacientët në gjendje të rëndë.
“Është bërë edhe parapërgatitja për çdo skenar të mundshëm edhe në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Ju keni eksperiencën e parë të fituar dhe ajo çfarë do të bëjmë është vijimi I fuqizimit të kapaciteteve të spitalit ‘Shefqet Ndroqi’ dhe sigurisht mundësia e rikthimit në spital COVID në rast se do të kemi flukse të mëdha në terapinë intensive”, tha Manastirliu.
Manastirliu siguroi qytetarët se spitalet tona “ofrojnë të gjitha terapitë që edhe spitalet në botë ofrojnë pa asnjë dallim”. Ajo i bëri thirrje atyre të bashkëpunojnë për të përballuar fazën e dytë të Covid-19.
“Mbajtja e distancës, larja e duarve, vendosja e maskës e deri tek protokollet në spitale. Të gjitha këto janë pjesë e gjithë strategjisë për të luftuar Covid19”, tha ministrja në një takim në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, për inagurimin e pajisjeve të reja të reanimacionit.
Spitali “Shefqet Ndoqi”, gjatë periudhës së mbylljes së vendit u kthye në spital Covid19.