Manchester City u fundos nga një pirat interneti

Nga Exit News
Manchester City u fundos nga një pirat interneti

Lajmi më i bujshëm i kësaj jave në sport, ishte fakti se UEFA dënoi Manchester City-in me 2 vite pezullim nga turnetë evropianë dhe 30 milionë euro gjobë. Shkak ishin shkeljet e të ashtuquajturit “Fair Play”-i financiar (FPF). Vendimi është apeluar, por rreziku mbetet i lartë.

Në Angli këtë dënim ia kanë faturuar portugezit Rui Pinto, drejtues i faqes së famshme Football-Leaks, e cila denonconte kontratat e majme, në evazion fiskal dhe në shkelje të FPF që bëjnë klubet e mëdha në Evropë, ndër to edhe City. Klubi akuzohej se bënte kontrata fiktive sponsorizimi nga kompani të tjera të zotëruara nga pronari i klubit, në mënyrë që të rregulloheshin bilancet dhe të justifikoheshin shpenzimet kolosale.

Pinto, 31 vjeç, një pirat i internetit, arriti të përvetësonte mbi 70 milionë dokumente, të cilat nëse do të ruheshin në një kompjuter të vetëm do të duheshin mbi 3 terabyte memorie. Për ta kuptuar më mirë, kjo sasi informacioni do të zinte memorien e të paktën 6 kompjuterave të zakonshëm.

Në vitin 2015, portugezi sulmoi nga shtëpia e tij në Hungari, e-mail-et e klubit të Manchester City dhe shumë të tjerëve, si për shembull PSG. Informacionet që gjeti ua shpërndau mediave të njohura si gjermanja Der Spiegel, e cila nxiti me raportimet e saj nisjen e hetimeve nga UEFA.

Pinto u pikas nga autoritetet dhe u arrestua në Hungari. Në vitin 2019 u ekstradua në Portugali ku dhe po ndiqet penalisht.

Megjithëse shumica e sportdashësve e kanë përgëzuar për atë çka ai ka bërë, Pinto është arrestuar. Ndaj tij rëndojnë 90 akuza të ndryshme për piraterim, mashtrim dhe sabotime në internet.

Ai është në paraburgim që prej marsit të vitit 2019. Tifozë të shumtë nisën një fushatë në rrjetet sociale me hashtagun #lironiPinton (#freePinto). Simpatizantë të Pintos në Gjermani mbajtën banderola në stadiume me mbishkrimin:

“FIFA, UEFA mafia! Luftoni për transparencë, lironi Rui Pinton!”

FPF u vendos nga UEFA në vitin 2011. Rregulli diktonte kushte të forta ndaj klubeve që marrin pjesë në kompeticionet evropiane. Ato duhet të kenë bilance pozitive dhe transparencë mbi të ardhurat, shpenzimet dhe sidomos sponsorizimet. Shkeljet e këtyre rregullave ndëshkohen me kufizim të listës së lojtarëve, gjobë e deri të pezullim nga kompeticioni ose revokim të titujve të fituara.

Në aktivitetin e tij në Football-Leaks, Pinto denoncoi për shkelje të FPF-së dhe evazion fiskal klubin holandez të Twentes, i cili u pezullua për 3 vite. Klubi nuk justifikoi dot një kontratë sponsorizuese me një fond maltez. Më tej Pinto zbardhi kontratat e transferimit të shumë lojtarëve me emër, si Radamel Falcao, Gareth Bale, apo James Rodriguez.

Për shkeljet e FPF-së u zbulua edhe PSG, por ndryshe nga Manchester City, sponsorizimet e kampionëve të Francës u vlerësuan brenda rregullave.

Për shkelje të FPF-së janë dënuar klube si Galatasaray apo Milan.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>