Nesër pritet që Këshilli i Lartë Gjyqësor të vendosi në lidhje me mbarimin ose jo të mandatit e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani. Presidenti Meta kërkoi disa ditë më parë, përfundimin e madatit të Dvoranit, pasi në Gjykatën e Lartë, u emëruan tre anëtarët e rinj.
Po si rrodhën ngjarjet deri këtu?
Ardian Dvorani është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Lartë në Shkurt 2005 dhe mandati i tij 9-vjecar ka përfunduar në Shkurt 2014.
Në vitin 2016, 35 deputetë të Kuvendit i kërkuan Gjykatës Kushtetuese të shprehej mbi përfundimin e mandatit të Dvoranit. Në qershor 2016, Gjykata Kushtetuese, me Vendimin Nr. 55, e shpalli antikushtetues atë pikë të ligjit që lejonte qëndrimin në detyrë pas mbarimit të mandatit të një anëtari të Gjykatës së Lartë derisa ai të zëvendësohej.
Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese hyri në fuqi më 12 gusht, kur ai u botua në Fletoren Zyrtare, dy ditë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Kushtetutës, të cilat e kishin hequr farë nenin e vazhdimit të mandatit deri në zevendësim, por që nga ana tjetër në dispozitat tranzitore lejonin qëndrimin në detyrë të anëtarëve ekzistues të Gjykatës së Lartë deri në zëvendësimin e tyre.
Edhe pse rasti i tij ishte i pastër—ndryshimet kushtetuese e gjetën Dvoranin në detyrë për shkak të justifikimit të tij me një interpretim ligjor që Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë—Dvorani ka vazhduar të qëndrojë në detyrë, duke vendosur kështu një precedent botëror, duke shërbyer mbi gjashtë vjet pas mbarimit të mandatit.
Në mars të 2019, Gjykata e Lartë pushoi së funksionuari, pasi nga 19 anëtarë mbeti me me 1 anëtar, Ardian Dvoranin.
Më 9 Korrik 2019, KLGJ shpalli tre pozicione të lira në Gjykatën e Lartë, për t’u plotësuar nga rradhët e juristëve të spikatur. Njëri prej tre vendeve ishte edhe ai i Dvoranit. Më 10 Mars të këtij viti, u emëruan tre gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushaj, Ervin Pupe dhe Ilir Panda, duke zëvëndësuar kështu gjyqtarin Ardian Dvorani.
Por nuk ndodhi kështu dhe gjyqtari Dvorani, vazhdoi të qëndronte në detyrë.
Më 29 prill 2020, Presidenti Meta i kërkoi KLGJ dhe Gjykatës së Lartë, të shpallin përfundimin e mandatit të gjyqtarit Dvorani.
Në të njëjtën ditë, KLGJ vendosi ti lërë afat, gjyqtarit Dvorani deri të mërkurën, në orën 16.00, për të dhënë një mendim për kërkesën e Presidentit.
Më 30 prill 2020, Dvorani kërkoi tre ditë kohë për të formuluar përgjigjen ndaj kërkesës së Presidentit Meta. Në kërkesën e tij për KLGJ-në, Dvorani kërkon përveç kohës, të shqyrtohet ligjshmëria e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, duke krijuar kështu makinacione që legjitimojnë vazhdimin e qendrimit të tij në Gjykatën e Lartë.
Me datë 1 maj 2020, KLGJ miratoi kërkesën e Dvoranit, por në një opinion dërguar KLGJ-së, Komisioni i Zhvillimit të Karrierës argumentoi se gjyqtari Ardian Dvorani do të qëndrojë në detyrë derisa të emërohet anëtari i fundit i Gjykatës së Lartë.
Më 4 maj 2020, Ardian Dvorani argumentoi se KLGJ nuk ka kompetencë të shqyrtojë mandatin e tij. Në përgjigje të kërkesës së Presidentit Meta për mbarimin e mandatit të tij, Dvorani pohon se zëvendësimi në Gjykatën e Lartë nuk bëhet me emra nominal, por me pozicione. Kështu anëtarët e rinj nuk zëvendësojnë nominalisht gjyqtarin Dvoranin.