Maqedonia e Veriut raportoi të enjten një tjetër viktimë mes pacientëve me Covid-19 duke e çuar totalin në 30 të vdekur.
Autoritetet shëndetësore u shprehën se viktima ishte një grua 27-vjeçare nga Kumanova, e cila më 30 mars kishte lindur djalë.
Fatmirësisht foshnja nuk eshtë infektuar me koronavirus, por e ëma vuajti ndërlikime të rënda të frymëmarrjes, të cilat i shkaktuan dhe vdekjen.
Po të enjten autoritetet raportuan diagnostikimin e 46 personave të tjerë të infektuar me Covid-19 duke e çuar totalin në 663 të infektuar.
Numri më i madh i të infektuarve mbetet në Shkup (273 të infektuar) e Kumanovë (143 të infektuar).
Deri më tani mbi 6 500 persona janë testuar për koronavirus ndërsa 37 janë shëruar.
Autoritetet thonë se kanë vënë në izolim dhe karantinë shtetërore mbi 10 mijë persona.