Maqedoni e Veriut, Kryetari i Aleancës Ziadin Sela propozon dy koalicione të partive shqiptare

Nga Gerard Gega
Maqedoni e Veriut, Kryetari i Aleancës Ziadin Sela propozon dy koalicione të partive shqiptare

Në zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut, partitë politike shqiptare mund të bëhen bllok në dy koalicione. Ideja është hedhur nga Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili ka ftuar publiisht për koalicion parazgjedhor Lëvizjen Besa dhe Alternativën.

Palët politike në Maqedoninë e Veriut ranë dakord që të zhvillojnë zgjedhje të parakohshme më 12 prill, pasi Kryeministri Zoran Zaev i Lidhjes Socialdemokrate deklaroi dorëheqjen.

I ftuar në emisionin “Rruga drejt” të televizionit Alsat, Ziadin Sela u shpreh hapur se do të donte një koalicion me dy partitë: Lëvizjen Besa dhe Alternativa:

“[…] nuk kam pas akoma negociata për zgjedhje, qoftë me Lëvizjen Besa apo qoftë me Alternativën. Por u bëj thirrje publike […]: Aleanca për Shqiptarët është e interesuar për një koalicion me Lëvizjen Besa dhe Alternativën bashkë.”

Në zgjedhjet e fundit partitë shqiptare morën 20 deputetë: 10 deputetë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i Ali Ahmetit, 5 deputetë Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës mori 3 deputetë dhe 2 deputetë Partia Demokratike e Shqiptarëve (PDSH) e Menduh Thaçit.

Partia Alternativa, e cila drejtohet nga Afrim Gashi, u krijua në muajt e parë të këtij viti si ndarje e Lëvizjes Besa dhe do jetë për herë të parë në zgjedhje parlamentare. Ndërkohë Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) e Vesel Memedit nuk pati marrë deputetë.

Edhe pse për shqiptarët do të ishte më e leverdisshme që faktori politik të ishte i bashkuar, për kryetarin e Aleancës, bashkimi nuk mund të bëhet me BDI-në apo PDSH-ën:

“Jo PDSH. Atë do ja japim Aliut (Ali Ahmetit). Meqë ai kërkon që ne të bashkohemi, të bashkohet edhe ai. Ne do të punojmë bashkë me Besën dhe Alternativën që të ndodh ky koalicion. Ndërkohë, i bëj thirrje edhe Aliut që edhe ai të marr Veselin (Vesel Memedin, RDK) dhe Menduhin (Menduh Thaçi, PDSH) dhe t’i bëjmë dy blloqe politike”

Në emisionin e Alsat, Sela këmbënguli se Maqedonisë së Veriut i duheshin hapur negociatat, por ndër të tjera tha se BE nuk duhet “të krijojë oaze”. Këtu Sela nënkuptoi Kosovën, e cila sipas tij duhet të tërhiqet edhe më shpejt drejt integrimit:

“Mendoni sikur një ditë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të futet në BE, shqiptari i Kosovës duhet të marrë vizë pastaj për të ardhur këtu të shoh kushërinjtë e tij”.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka 120 deputetë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 partia e Zaev, Lidhja Socialdemokrate, fitoi 49 mandate. Koalicioni VMRO-DPMNE i drejtuar nga Nikola Gruevski fitoi 51, por nuk gëzoi mbështetje për krijimin e qeverisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>