Partitë politike opozitare dhe qeveria në Maqedoninë e Veriut arritën një marrëveshje për ligjin e shtetësisë.
Kryeministri Zoran Zaev, kryetarët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, firmosën më 16 prill marrëveshje, sipas njoftoimit të mediave maqedonase.
Në një dalje për median, Zaev u shpreh se ata kanë rënë dakord të mos publikojnë marrëveshje e arritur pa përfunduar hartimin e ligjit.
Koalicioni i dy partive opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë propozuar lehtësira të shumta për marrjen e shtetësisë për të gjithë personat që ende nuk e kanë zgjidhur këtë problem edhe 30 vjet nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, sipas REL. Por këto propozime nuk u pranuan nga Ministria e Brendshme maqedonase, duke shkaktuar përplasje mes qeverisë dhe opozitës.
Ligji për shtetësinë u miratua në vitin 1991, pas pavarësisë, por asnjëherë nuk ka arritur të zgjidhë problemin e numrit të lartë të personave pa nënshtetësi.