Maqedoni e Veriut, palët bien dakord për qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme

Nga Gerard Gega
Maqedoni e Veriut, palët bien dakord për qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme

Më 12 prill 2020 Maqedonia e Veriut do të votojë për qeveri të re dhe zgjedhjet do të organizohen nga një qeveri teknike. Kështu u vendos në Shkup pas takimeve që kryetarët e partive politike zhvilluan të dielën.

Kryeministri Zoran Zaev kërkoi që vendi të shkonte në zgjedhje pasi Komisioni Evropian vendosi të mos nisë bisedimet për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Pas takimeve me Presidentin Stevo Pendarovski dhe liderët e partive të tjera, Zaev tregoi për mediat se qe rënë dakord që zgjedhjet të mbaheshin më 12 prill. Kryeministri në largim tha se partia e tij kishte propozuar datat 22 ose 29 dhjetor, por që nuk ishin pranuar.

Kryetari i VMRO-DPMNE, Hristjan Mickoski tha për mediat se palët kishin rënë dakord edhe për qeveri teknike, e cila pritet të formohet në janar pasi të jetë ratifikuar anëtarësimi në NATO nga të gjitha vendet anëtare. Qeverinë teknike thuhet se do ta drejtojë Oliver Spasovski, aktualisht Ministër i Brendshëm i qeverisë së Zaev.

Marrëveshja e Prespës për çështjen e emrit me Greqinë, ishte një nga çështjet më të vështira për Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin drejt BE-së. Por kjo nuk mjaftoi për t’i bindur vendet anëtare që të hapnin negociatat dhe Zaev ka marrë përsipër përgjegjësitë duke kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka 120 deputetë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 partia e Zaev, Lidhja Socialdemokrate, fitoi 49 mandate. Koalicioni VMRO-DPMNE i drejtuar nga Nikola Gruevski fitoi 51, por nuk gëzoi mbështetje për krijimin e qeverisë.

Partia e Zaev pati mbështetje nga shqiptarët. Ai pati formuar koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim, të Ali Ahmetit, e cila fitoi 10 deputetë.

Qeveria u mbështet fillimisht edhe nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës ndërsa më vonë edhe nga dy partitë e tjera: Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit apo dhe Lëvizja Besa e Afrim Gashit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>