Ish Kryeministri maqedonas Nikola Gruevski u dënua sot me dy vite burg nga gjykata penale, për ndikim të paligjshëm të dy zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme për blerjen e një makine luksoze me të ardhurat e shtetit.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2012, kohë kur Gruvski ishte kryeministër. Dy zyrtarë të ministrisë, Gjoko Popovski dhe Gordana Jankulloska, të influencuar nga Gruevski pranuan të blejnë një makinë anti-plumb të kompanisë Mercedes me një vlerë prej 600 mijë eurosh. Gjatë blerjes së makinës u shkelën dhe procedurat e tenderimit: makina është blerë fillimisht dhe më pas është hapur tenderi nga Ministria e Brendshme.
Nikola Gruevski nuk ishte i pranishëm në gjykatë kur u dha vendimi. Ai u dënua bazuar në provat e siguruara nga materialet audio të mbledhur gjatë skandalit masiv të përgjimit që shpërtheu në 2015 dhe çoi në rënien e qeverisë së tij.
Ndërkohëì Gjoko Popovski u dënua me 6 vite e 6 muaj burgim pasi akuzohet se ka shkelur procedurat dhe për blerjen e 300 makinave për nevojat e Ministrisë së Brendshme.
Gordana Jankulloska është gjykuar me procedurë të veçantë, ndërsa vendimi për të do të merret në seancë tjetër.