Kuvendi i Maqedonisë shkarkoi kryeprokuroren speciale Katica Janeva. Prokurorja Janeva ndodhet në arrest burg për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Pro këtij vendimi votuan 120 deputetët pjesmarrës në seancë plenare. Këshilli i Prokurorëve i dërgoi Kuvendit disa javë më parë dosjen me hetimet e zhvilluara ndaj Janeva, duke i kërkuar shkarkimin e saj.
Hetimi ndaj prokurores speciale filloi pas publikimit të një video-përgjimi nga gazeta italiane “La Verita”, ku shfaqen dy persona Bojan Jovanovski dhe Zoran Mileski, të cilët i premtojnë biznesmenit Orce Kamçev se në bashkëpunim me zonjën Janeva do të mundësojnë lehtësimin e procesit gjyqësor që kishte nisur ndaj tij. Biznesmeni Kamcev akuzohej për një aferë korrupsioni tjetër, prokurore e të cilës ishte zonja Janeva.
Prokuroria Speciale në Maqedoni u krijua në vitin 2015, për të hetuar zyrtarët e lartë. Ajo nisi hetimet ndaj ish kryeministrit Nikolla Gruevskit dhe disa prej anëtarëve të qeverisë së tij për shkak të ndikimit të paligjshëm.