Maqedonia e Veriut pritet të shtrëngojë të mërkurën masat mbrojëse ndaj përhapjes së koronavirusit.
Masat, të cilat pritet të miratohen nga qeveria të martën, parashikojnë ndalimin e plotë të lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 05:00.
Këto masa janë propozuar nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive, pas rritjes së rasteve me koronavirus në tre javët e fundit.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka thënë se kufizimet do të vlejnë të paktën dy javë.
Sipas tij, shtrëngimet do të bëhen pasi në restorante nuk po respektohen masat në orët e vona të mbrëmjes dhe vërehen grumbullime, sikurse edhe në hapësirat publike.
“Nuk po respektohen masat dhe kjo ka bërë që të kemi rritje të rasteve të personave të sëmurë me COVID-19”, ka deklaruar të hënën Ministri i Shëndetësisë.
“Klinikat e brendshme në Shkup janë në gatishmëri dhe të gatshme për të pritur pacientët me COVID-19. Spitalet nuk janë të ngarkuara aq e fortë sikur në nëntor dhe kjo është me rëndë. Është e vështirë të thuash nëse kjo tendencë do të vazhdojë, nëse do të ketë valë të re apo nëse do të ruhet gjendja e tanishme. Ekzistojnë mendime të ndara midis epidemiologëve për këtë çështje. Por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përgatitur. Këto masa do të jenë të vlefshme për 2 javë, por natyrisht ne jemi duke monitoruar situatën dhe është e mundur që të ketë ndryshime”, ka deklaruar Filipçe.