Qeveria maqedonase i ka këshilluar qytetarët e saj të mos udhëtojnë drejt Italisë, si masë për të parandaluar prekjen nga koronavirusi.
Në njoftimin për qytetarët thuhej:
“Duke pasur parasysh shpejtësinë e zhvillimeve me COVID-19 në Itali, rekomandojmë që qytetarët tanë të mos udhëtojnë nëpër tërë territorin e Italisë. Për ata qytetarë që janë tashmë në Itali, rekomandojmë rritjen e masave të kujdesit në çdo kohë dhe duke ndjekur udhëzimet e mediave lokale dhe autoriteteve lokale.”
Aktualisht në Maqedoninë e Veriut janë 7 persona të konfirmuar me koronavirus.
Pacienti i parë atje u identifikua më 26 shkurt dhe ishte një grua 50 vjeçe, e cila ishte kthyer para disa ditësh nga një udhëtim në Itali.
Ndërkohë Shqipëria ka pezulluar të gjithë udhëtimet drejt Italisë.
Fillimisht dje, qeveria ndaloi fluturimet nga Tiranë për në aeroportet e veriut të Italisë, ndërsa sot u pezulluan të gjithë fluturimet dhe tragetet me gjithë Italinë. Ky vendim u mor pasi të hënën Italia kaloi në karantinë kombëtare.
Kosova po ashtu ka pezulluar fluturimet me veriun e Italisë.