
Kuvendi maqedonas ka votuar pro shkarkimit të ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Rashella Mizrahi, e cila nuk ka respektuar Marrëveshjen me Greqinë për emrin.
Rashella Mizrahi ishte ministre e qeverisë teknike që po përgatit vendin për zgjedhje. Ajo ishte përfaqësuese e partisë opozitare VMRO-DPMNE, e cila në qeverinë teknike tani ka mbetur me vetëm një përfaqësues, ministrin e Brendshëm.
Propozimi për shkarkimin e Mizrahit u bë nga kryeministri i qeverisë teknike Oliver Spasovski, pasi në disa dalje publike, pas emrit të saj ajo kishte shkruar “Republika e Maqedonisë”, emrin e Maqedonisë së Veriut para Marrëveshjes së Prespës.
Këtë gjë kryeministri teknik Spasovski e quajti shkelje të Kushtetutës dhe rrezik për të ardhmen euroatlantike të vendit.