Maqedonia e Veriut ka marr të dielën 500 mijë doza të vaksinës kineze Sinovac.
Sipas një raportimi të Radio Evropa e Lirë, bëhet fjalë për furnizimin më të madh të vaksinave në vend, që nga fillimi i fushatës së vaksinimit.
Ngarkesa u prit në Aeroportin e Shkupitnga zyrtarja e Ministrisë së Shëndetësisë Ivanka Stojanoski, shoqëruar nga ambasadori kinez, Xhang Suo.
“Me procesin e deritanishëm të imunizimit dhe vaksinimit të një numri të madh të qytetarëve, ne po tregojmë rezultate të shkëlqyera në uljen e numrit të të infektuarve me COVID-19 dhe qytetarëve të shtruar në spital, siç dëshmohet nga fakti se qendrat COVID në të gjithë vendin nuk kanë asnjë pacient”, citohet nga REL Stojanoski.
Një ditë më parë Maqedonia e Veriut priti 100 mijë vaksina të kompanisë Pfizer/BioNTech nga programi COVAX i OBSH-së, ndërkohë që rastet e infektimit kanë rënë drastikisht. Vendi regjistroi vetëm një viktimë dhe 4 raste të reja të dielën, teksa numri i rasteve aktive është 228 persona.
Deri të shtunën Maqedonia raportoi 510 mijë persona që kanë marr të paktën 1 dozë të vaksinës, ndërkohë që rreth 214 mijë persona rezultojnë plotësisht të vaksinuar.