Maqedonia e Veriut ka marrë të dielën dozat e para të vaksinës kundër COVID-19 që i janë dhuruar nga Serbia.
Janë 4,680 doza të vaksinës së kompanisë Pfizer/BioNtech që kanë mbërritur në Maqedoninë e Veriut.
“Kjo ngjarje është rezultat i miqësisë dhe mbështetjes së ndërsjellë midis dy shteteve tona, si dhe mirëkuptimit me situatën në të cilën ndodhet e gjithë bota”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev pranimit të vaksinave nga Serbia, raporton Radio Evropa e Lirë.
Vaksinat duhet të mbërrinin të hënën por pati vonesë për shkak të harmonizimit të dokumentacionit teknik dhe kërkesave të kompanisë amerikane.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha dhurimi i vaksinave tregon miqësinë mes dy popujve ndërsa shprehu besimin se dy shtetet do të arrijnë me sukses të përballen me pandeminë.
“Kjo është dhurata më e zakonshme, për të cilën jemi të sigurt që do të na bënit edhe ju. Një mik i vërtetë është ai që ju ndihmon kur jeni në telashe.”, ka deklaruar Vuçiç.
Gjithësej Serbia i ka premtuar Maqedonisë së Veriut 8 mijë doza të vaskinës së Pfizer.
Vendi fqinj ka arritur një marrëveshje për 5 mijë doza me Bullgarinë por ato nuk kanë mundur ende të arrijnë për shkak të pengesave teknike nga kompania Pfizer.
Maqedonia e Veriut është në pritje edhe të 200 mijë vaksinave nga Kina për çka edhe është nënshkruar marrëveshje me prodhuesin kinez “Sinofarm”.