Maqedonia e Veriut po mendon të administrojë dozën e tretë përforcuese të vaksinës Covid-19

Maqedonia e Veriut po mendon të administrojë dozën e tretë përforcuese të vaksinës Covid-19

Me përhapjen e variantit Delta të koronavirusit, Maqedonia e Veriut po konsideron edhe administrimin e një doze të tretë përforcuese të vaksinës Covid-19.

“Priten mutacione të reja në koronavirus, kështu që një nga skenarët e mundshëm, është që qytetarët të marrin një dozë të tretë të vaksinës anti-COVID apo edhe mundësia që ajo të bëhet sezonale,” citohet ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në një raportimin të Radio Evropa e Lirë.

Ai shtoi se masat kufizuese në të ardhmen do të shënjestrojnë personat që ende nuk janë vaksinuar.

“Ne do të diskutojmë masat e mundshme kufizuese, duke synuar së pari ata që nuk janë vaksinuar, sepse nuk ka nevojë të vendosim masa shtesë për njerëzit që janë vaksinuar, duke e ditur se kjo është mënyra e vetme që ne të funksionojmë dhe të kthejmë jetën tonë në gjendjen normale”, tha Filipçe.

Masat përfshijnë ndalimin e lëvizjes së tyre në ambiente të mbyllura si dhe në manifestimet të ndryshme kulturore e sportive.

Maqedonia e Veriut ka vaksinuar mbi 530 mijë persona apo rreth 25 për qind e popullatës me të paktën një dozë të vaksinës dhe vetëm 18% janë plotësisht të vaksinuar.

Duke pasuar trendin e vendeve të tjera, numri i rasteve të reja të infektimeve ditore ka pësuar rritje në vend, por sipas Filipçes,  situata epidemiologjike është mjaft e qetë dhe spitalet po funksionojnë pa presion.

“Nuk ka presion mbi spitalet, as në ambulanca, ku ka një indikacion nëse një pacient është për t’u pranuar apo jo. Rreth 15 pacientë po trajtohen në Klinikën Infektive. Ne po e ndjekim situatën nga afër, edhe pse tani është mjaft e qetë, është e mundur që tendenca e rritjes së infektimeve të vazhdojë”, deklaroi ai.

Ministria e Arsimit po ashtu ka shpallur se hapja e shkollave do të varet nga progresi me vaksinimin, duke lënë të hapura të treja opsionet: kthimin e nxënësve në shkolla, mësimin online si dhe mësimin e kombinuar – me prani fizike dhe mësim nga distanca.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>