Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli, mbrëmjen e së premtes, gjendjen e krizës në të gjithë vendin, për të lehtësuar menaxhimin e pandemisë së Covid-19.
Vendimi u mor nga qeveria me rekomandimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare që drejtohet nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.
Ky vendim do t’i japë mundësi qeverisë që të administrojë vetë dhe spitalet private, për të trajtuar pacientët me Covid-19 dhe aty.
Tani qeveria do të ngrejë një shtab qendror për menaxhimin e pandemisë në kohë krize.
Shtabi qendror pritet të menaxhojë rreth 80 shtabe lokale në çdo komunë, për të marrë vendime lidhur me menaxhimin e situatave në komuna në mënyrë të veçanta.
Gjendja e krizës do të zgjasë në afat prej 30 ditëve dhe ajo nuk nënkupton edhe orë policore apo kufizim të lëvizjes.
Aktualisht në Maqedoninë e Veriut janë rritur ndjeshëm numrat e të infektuarve dhe viktimave ditorë. Një ditë më parë, humbën jetën 39 persona të infektuar në një ditë.