Drejtuesit e partive kryesore të Maqedonisë së Veriut dakordësuan me Presidentin Stevo Pendarovski shtyrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat ishin parashikuar për t’u mbajtur më 12 prill. Ende nuk ka një date të re të caktuar.
Dakord kanë qenë edhe partitë shqiptare, megjithëse në takimin me Presidentin mungoi kryetari i Bindjes Demokratike për Integrim, Ali Ahmeti.
Mediat lokale citojnë kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë së Veriut (LSDM), Zoran Zaev, i cili ka kërkuar që përveç shtytjes së zgjedhjeve të vendoset edhe gjendja e jashtëzakonshme.
Në Maqedoninë e Veriut deri më sot janë diagnostikuar 26 persona me koronavirus. Pjesa më e madhe e të infektuarve janë në rajonin e Dibrës.
Maqedonia e Veriut aktualisht udhëhiqet nga ish-Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, i cili mori detyrën më 3 janar.
Pas refuzimit të hapjes së negociatave nga BE në tetor, Kryeministri Zaev mori përsipër përgjegjësitë dhe ra dakord me partitë politike për zgjedhje të parakohshme më 12 prill.