Pas gjashtë muajsh krizë të thelluar politike, Maqedonia votoi dje në mesnatë qeverinë e re që drejtohet nga Kryeministri Zoran Zaev, kreu i partisë LSDM.
Kabineti i ri u votua me 62 vota pro, 44 kundër dhe 5 abstenim, pas dy ditësh debat të ashpër në kuvend mes partisë së ish-kryeministrit Gruevski dhe shumicës së re.
Pjesë e qeverisë së re janë tre parti, LSDM dhe dy partitë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Aleanca për Shqiptarët. Në total dy partitë shqiptare dhe LSDM kanë në kuvend 62 mandate. Lëvizja Besa, që në moment të fundit vendosi të mos i bashkohej koalicioni qeverisës, u shpreh se 5 mandatet e saj do të jenë pro qeverisë.
Nga 25 ministri dhe poste të tjera, LSDM ka 17 prej tyre, BDI e cila ka 10 mandate në kuvend, ka 6 poste 4 prej të cilave ministri, ndërsa Aleanca që ka 3 mandate, do të drejtojë 2 ministri.
Gjashtë emrat e propozuar nga Bdi do të drejtojnë ministri të rëndësishme në qeveri:
Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë;
Bylent Salihu – Ministër i Drejtësisë;
Sadulla Duraku – Ministër i Ambientit dhe Planifikimit;
Ramiz Merko – Ministër pa portofol;
Hazbi Lika – Zëvendëskryeministër për sistemin politik dhe marrëdhënien mes komuniteteve;
Bujar Osmani – Zëvendëskryeministër për Integrimin Evropian.
Ndërkohë Aleanca për Shqiptarët do të drejtojë dy ministri:
Arben Taravari – Ministër i Shëndetësisë;
Suhejl Fazliu – Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.
Po ashtu, Kuvendi i Maqedonisë drejtohet nga shqiptare Talat Xhaferri.
Kryeministri Zaev, pas votimit të qeverisë, deklaroi se do të jetë kryeministri i të gjitëve dhe se do të punojë me përgjegjshmëri për reforma të mëdha.
Zaev tha se qeveria e tij do të bazohet në parime qytetarie dhe ndershmërie dhe se do të përqëndrohet në tre qëllime kryesore: rritja dhe zhvillimi ekonomik, vendosjen e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, e integrimi i vendit në NATO e BE.
Zoran Zaev u zotua se qeveria e re do të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit. Për këtë ai njoftoi ngritjen e një gjyaktë të posaçme që do të trajtojë rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe reformë të thellë në sistemin e drejtësisë për të eleminuar ndikimin politik në drejtësi.